David Gjinollari, flet për sezonin e shkuar dhe çfarë pret nga i ardhshmi. Mbrojtësi i Teutës premton se blutë do të bëjnë një sezon pozitiv në këtë vit. Gjinollari kërkon të japë maksimumin nga vetja, për ta “detyruar” trajnerin Longo për t’i dhënë një fanellë titullari. 24-vjeçari u bë shumë shpejt një pikë kyçe e Teutës, teksa në sezonin e parë dha një kontribut të konsiderueshëm në daljen e skuadrës nga kriza në pjesën e dytë të sezonit.
Si ishte Teuta e sezonit të shkuar?
Sezonin e shkuar ne bëmë mirë në përgjithësi, pasi vetëm në ndeshjen e fundit humbëm mundësinë për të luajtur në Europë. Ne punuam drejt objektivave tanë, ndaj ishim fokusuar plotësisht aty. Pa parë çfarë bënin ekipet e tjera. Vitin që shkoi Teuta ka bërë shumë më mirë dhe puna dha rezultat. Shpresojmë që sezonin e ri ta nisim aty ku lamë të shkuarin.
Keni garanci që mund të jeni titullar këtë sezon?
Unë erdha këtu pasi Teuta u jep mundësinë lojtarëve të rinjqë të aktivizohen. Do të jap maksimumin në stërvitje. Më pas kjo i takon trajnerit, nëse ai e sheh të arsyeshme. Jam i bindur që aktivizimi si titullar nuk do të mungojë, por duhet të punoj fort gjithmonë për t’i bërë vend vetes.
Luani në mesfushë, por edhe në mbrojtje. Ku ndiheni më mirë?
Roli im është mbrojtës, por disa herë kam luajtur si mesfushor, sepse ka pasur nevojë ekipi. Gjithashtu, unë do të bëj më të mirën për ekipin dhe do të luaj ku ka nevojë skuadra.
Si e shikoni skuadrën në sezonin e ri?
Teuta me mbështetjen e drejtuesve ia ka dalë të fitojë trofe në vitet e fundit dhe do të rikthehet sërish të jetë aty. Jam i kënaqur me ambientin në klub, qytetin dhe gjithashtu shokët e ekipit. Normalisht që synimet e Teutës janë të jetë sa më lart. Dihet që klubi synon gjithmonë majat dhe objektivi do të jetë që të jemi sa më lart.
Një sezon i mirë dhe për ju në aspektin personal, si e shihni të ardhmen?
Unë jam në kontratë me Teutën dhe do të jem bashkë me ekipin në këtë sezon për të tentuar të bëjmë mirë. Kategoria Superiore këtë sezon do të jetë shumë e vështirë, pasi ka emra të mëdhenj. Por do të tentojmë maksimumin.