Një polic në Lezhë është gjobitur pasi në mediat sociale u publikua një foto e automjetit të tij të loguar, të parkuar në vijat e bardha.

Pasditen e së mërkurës, shërbimet e Policisë Rrugore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë njoftojnë se kanë kryer verifikimet dhe kanë ndëshkuar me 2 mijë lekë gjobë policin në fjalë.

Efektivi është gjobitur për shkeljen rrugore “Ndalimi i qëndrimit dhe pushimit të mjeteve”, parashikuar nga neni 156/1/g i Kodit Rrugor.

Gjithashtu, ndaj punonjësit të Policisë, inspektor A. D. njoftohet se ka filluar ecuria disiplinore, për shkelje dhe cenim të imazhit të Policisë së Shtetit, bazuar në Rregulloren e Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr.750, datë 16.09.2015.