E nisi kampionatin me gol ndaj Partizanit dhe më pas duhet të kalonin nëntë ndeshje që të zhbllokohej pikërisht kundër të kuqve. Sulmuesi maqedonas i Teutës, Pepi Gjorgiev, ka një histori interesante këtë kampionat ndaj “demave”, por sipas tij është thjesht një rastësi dhe golat pret t’i shënojë rregullisht.Gjorgiev ndjen keqardhje për mënyrën se si humbën me Partizanin, por nga ana tjetër, beson te kthesa ndaj Vllaznisë. Sulmuesi komenton edhe ndryshimin në pankinën e Teutës.

Pepi, keni shënuar vetëm ndaj Partizanit këtë kampionat. Duket se është pikërisht ky ekip që ju sjell fat…?

Më duket përkufizim i gabuar, pasi nuk mendoj që më sjell fat Partizani. Thjesht është rastësia që unë kam arritur të shënoj dy gola pikërisht kundër këtij ekipi. Natyrisht është moment i veçantë, por pak i vonuar për mua. Goli më lumturon, pasi erdhi në kohën e duhur, por shpresoj që të shënoj më shumë në ndeshjet e tjera.

Gjithsesi, në ndryshim nga ndeshja e fazës së parë, ku fituat 1-0, këtë herë goli nuk vlejti, pasi Partizani ju përmbysi. Ju vjen keq që nuk dolët me pikë nga kjo ndeshje?

Të them të drejtën ishte një humbje, e cila nuk duhej të ndodhte. Kishim shumë raste për ta mbyllur ndeshjen, por nuk e bëmë diçka të tillë. Ishte realisht një ndeshje e vështirë, por që nuk e menaxhuam mirë dhe prandaj dolëm pa pikë.

Drejtuesit kanë pritur shumë prej jush, tani si e shikoni vazhdimësinë dhe çfarë premtoni?

Po, është e vërtetë kjo gjë. Unë po stërvitem shumë dhe do të vazhdoj të punoj më tepër për të përmbushur pritshmëritë. Një sulmues matet me gola dhe unë shpresoj shumë që goli ndaj Partizanit të jetë pika e kthesës për mua, në mënyrë që të realizoj rregullisht në vazhdimësi.

Pas ndeshjes dha dorëheqjen trajneri Edi Martini dhe më pas klubi emëroi Renato Arapin. Çfarë prisni të ndryshojë tashmë në skuadër?

Unë shpresoj dhe besoj që do të ndryshojë gjithçka për mirë.

Të premten luani me Vllazninë. Është kjo ndeshja e kthesës?

Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Vllaznia ka një skuadër të fortë, me elementë cilësorë brenda. Por, unë besoj shumë se do të bëjmë maksimumin që të marrim tri pikët dhe të shohim përpara drejt objektivit që kemi.

Cilat nga ekipet rivale ju ka bërë më tepër përshtypje deri më tani?

Të gjitha skuadrat kanë treguar të mirat dhe të këqijat e tyre. Nuk do të veçoja asnjë skuadër, pasi është vërtet një kampionat shumë i fortë.

Cili është shoku juaj më i mirë në ekip?

Ne jemi si një familje e madhe te Teuta. Të gjithë djemtë i kam shokë dhe më kanë qëndruar pranë, duke më mbështetur shumë. Si është jeta juaj në Durrës, çfarë ju pëlqen më shumë? Një jetë normale e ndarë mes stërvitjes dhe pushimit në shtëpi me familjen. Durrësi është një qytet i qetë, jam nga ata persona që deti më pëlqen shumë.