Teuta do të përballet ditën e diel ndaj Tiranës, në supersfidën e vlefshme për javën e 5-të të Kategorisë Superiore që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”. Blutë vijnë në këtë përballje pas barazimit në shtëpi ndaj Luzit në turin e parë të Kupës së Shqipërisë.

Sulmuesi nga Maqedonia e Veriut, Pepi Gjorgiev, është optimist dhe beson se skuadra ku ai aktivizohet mund të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo sfidë delikate.

27- vjeçari nuk e mohon dëshirën që ka për të shënuar, ndonëse më shumë rëndësi ka fitorja e Teutës dhe jo autori i golit.

Gjorgiev vlerëson Tiranën për atë që po jep në këtë sezon dhe për historinë e saj, por sipas tij, Teuta edhe në këtë duel pret vetëm trepikëshin. Sulmuesi tregon se çfarë duhet të bëjë ekipi për të përsëritur sezonin e shkuar, i cili u mbyll me titullin kampion.

Çfarë mund të na thoni rreth ndeshjes së Kupës me Luzin?

Ishte një ndeshje e mirë ndaj një kundërshtari që i kishim mbyllur llogaritë më herët. Ky takim për ne tregoi se jemi mirë dhe gati për kampionatin.

Pra, Teuta është gati për Tiranën?

Po, po. Jemi gati për Tiranën. Po shkon çdo gjë mirë, të gjithë lojtarët po stërviten maksimalisht dhe dëshira është e madhe për ta nisur aty ku e lamë para ndërprerjes së kampionatit, ku mposhtëm Kukësin në transfertë.

Si e shikoni ndeshjen ndaj Tiranës, bashkëkryesueses në renditje?

Tirana është një kundërshtar i fortë që ka bërë mjaft mirë në ndeshjet e fundit dhe është konsoliduar ndjeshëm me lojën dhe rezultatet. E vlerësoj historinë që ka klubi i Tiranës, për atë që ka dhënë këtë sezon, por ne jemi gati për të marrë 3 pikë në këtë sfidë.

A mund ta përsërisë Teuta sezonin e shkuar?

Për mua, ne duhet të punojmë shumë fort dhe të tregojmë të njëjtën paraqitje nga sezoni i shkuar. Çdo gjë duhet të jetë në maksimum e perfeksion dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë për këtë gjë. Mendoj se jemi në rrugën e duhur për të treguar më të mirën. Duhet të jemi të duruar dhe të vazhdojmë përpara.

Jeni gati të shënoni ndaj Tiranës?

Si sulmues që jam, kam për detyrë të shënoj, ndaj do të ndihesha i lumtur nëse do ta gjeja rrjetën në këtë përballje.
Keni një thirrje për tifozët në këtë duel kryesuesish?

Dua t’i bëj thirrje edhe tifozërisë që për këtë ndeshje të mbushë shkallët e stadiumit, pasi me përkrahjen e tyre ne jemi më të karikuar për të arritur fitoren.