Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar lirimin e Idriz Manej, i cili përmendet në dëshminë e të penduarit të drejtësisë Artan Tafani si pjesë e grupit kriminal të Laert Haxhiut. Ky grup akuzohet për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Fridman Xhaferrit në një rezervuar në Korçë në vitin 2021.
Manej kishte kërkuar shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg” të vendosur nga Gjykata e Elbasanit më 1 tetor 2023, përpara se çështja të kalonte për kompetencë te SPAK.
Në vendimin e datës 9 prill 2025, trupi gjykues i përbërë nga Erjon Çela, Etleva Deda dhe Elsa Ulliri vendosi të pranonte kërkesën e tij, duke argumentuar se koha e paraburgimit e vuajtur është më e gjatë se gjysma e dënimit maksimal të parashikuar për veprën penale për të cilën po procedohet.
Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Manej, me kushtin që të mos ketë ndonjë masë tjetër sigurimi apo dënim të formës së prerë që do ta mbajë në burg.