Një gërvishtje mes automjetesh në Vlorë ka degraduar ditën e sotme në një konflikt mes dy shoferësh dhe një aksident me pasoja materiale më të rënda. Një 25-vjeçar pasi ka debatuar me një 18-vjeçar, ka nisur të godasë disa herë makinën e këtij të fundit duke i rrezikuar dhe jetën.
Me ndërhyrjen e policisë është parandaluar dhe përshkallëzimi i konfliktit dhe 25-vjeçari është vënë në pranga. Ai është arrestuar për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, parashikuar nga neni 154 i Kodit Penal, dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
NJOFTIMI I POLICISË:
Vlorë/Policia ndërhyn në kohë dhe parandalon përshkallëzimin e një konflikti mes dy shtetasve, për motive të dobëta. Goditi disa herë me automjetin e tij, automjetin e një shtetasi tjetër, duke i rrezikuar jetën, vihet në pranga 25-vjeçari.
Menjëherë pas konstatimit nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të cilët ndodheshin jashtë shërbimit, si dhe nga strukturat e tjera të DVP Vlorë që ishin në shërbim, se dy drejtues mjetesh, në vendin e quajtur “Rrethi i Skelës”, ishin përfshirë në një konflikt, ku njëri prej tyre, shtetasi E. H., 25 vjeç, po godiste në mënyrë të përsëritur me automjetin e tij, automjetin e shtetasit G. D., 18 vjeç, duke i rrezikuar jetën, ndërhynë menjëherë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe duke neutralizuar shtetasin E. H.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, parashikuar nga neni 154 i Kodit Penal, dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, parashikuar nga neni 274 i Kodit Penal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.