Legjionarët kanë mbyllur një tjetër javë pozitive në arenën ndërkombëtare, duke regjistruar paraqitje të mira me klubet e tyre.
Rey Manaj po kalon një moment shumë të mirë me skuadrën e Sivasspor.
Pas rikthimit nga dëmtimi, sulmuesi kuqezi po shkëlqen me gola dhe këtë fundjavë e gjeti sërish rrugën e rrjetës në ndeshjen ndaj Adana Demirspor.
Sivasspor triumfoi në transfertë 4-2 dhe Manaj realizoi golin e tretë të ndeshjes që i dha avantazhin skuadrës së tij. Ky ishte goli i katërt i Manajt për këtë sezon në kampionatin turk.
Sulmuesi i Kombëtares U-21, Cristian Shpendi, shënoi dy gola në ndeshjen ndaj Brescia në Serinë B italiane. Futbollisti vulosi fitoren e Cesena-s me dy golat e tij.
Shpendi zhbllokoi takimin nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 15-të dhe gjeti rrugën e rrjetës sërish nga 11 metrat, në minutën e 53-të.
Pas përfundimit të ndeshjes Shpendi u shpall lojtari i ndeshjes, i vlerësuar me notën 8.7 nga sajti i specializuar për statistika sofascore.
Jasir Asani shkëlqeu sërish në Champions-in e Azisë me klubin e Gwangju. Në takimin ndaj Johor DT, sulmuesi kuqezi shënoi dy gola të shpejtë që në fillimin e takimit, ndërsa ndeshja u mbyll me fitoren e Gwangju 3-1. Gjithashtu, Asani ishte titullar edhe në takimin e fundjavës ndaj Incheon.
Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Mario Mitaj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Enea Mihaj, Marash Kumbulla, Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Nedim Bajrami, Keidi Bare, Ernest Muçi, Taulant Seferi, Arbër Hoxha, Myrto Uzuni dhe Mirlind Daku ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Ivan Balliu, Adrion Pajaziti dhe Qazim Laçi.