Një aksident rrugor është regjistruar ditën e sotme në qendër të Beratit ku një automjet ka përplasur një këmbësor.
Sipas informacionit paraprak, një mjet tip “Volkswagen Golf”, që dyshohet se po lëvizte me shpejtësi, ka goditur një 60-vjeçar i cili po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën.
I plagosuri është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, ku fillimisht është futur në sallën e operacionit për shkak të një dëmtimi në kokë. Më pas ai është dërguar në repartin e Urgjencës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë rrugore, të cilat po kryejnë këqyrjen e zonës dhe verifikimin e kamerave të sigurisë të bizneseve pranë vendit të aksidentit.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, një 20-vjeçar, është shoqëruar në polici për të dhënë dëshminë e tij lidhur me rrethanat e ngjarjes.





