Google i mohoi raportimet se ka ekspozuar bazat sekrete ushtarake ruse në shërbimin e tij të hartave.

Në mediet sociale, u përhapën me shpejtësi pretendimet se Google Maps ka nxjerre pamje satelitore të infrastrukturës ushtarake të Moskës. Vetë Forcat e Armatosura ukrainase dolën në Twitter me pretendimin se kushdo që kishte akses në këtë shërbim, mund të shikonte një sërë platformash lëshimi të Rusisë. Megjithatë, gjiganti i kërkimit në internet i hodhi poshtë këto zëra. Ai thotë se nuk ka bërë ndryshime në harta të vendeve që përpara ishin mbuluar.

Google Maps dhe Google Earth janë disa nga instrumentet më të përdorura në botë për orientim, megjithatë, jo çdo territor është në dispozicion të përdoruesve. Me kërkesë specifike të disa vendeve, zonave të caktuara ushtarake apo pjese territoresh, u vendosen filtra që “turbullojnë” pamjen, duke fshehur detajet. Diçka e tillë raportohet të ketë me zonat ushtarake amerikane, për shkak të një ligji me të cilin Google është pajtuar që në fillim, por kjo ka ndodhur edhe në pjesë të tjera të botës.  “Ne nuk kemi bërë ndonjë ndryshim në imazhet tona satelitore në Rusi”, tha një zëdhënës i kompanisë.

Pamjet satelitore të objekteve ushtarake anembanë botës mjegullohen herë pas here ose shfaqen me cilësi më të ulët në Google Maps për të mbrojtur statusin e tyre të klasifikuar. Disa verifikues të pavarur të fakteve thonë se ata kanë qenë në gjendje të kenë akses në imazhet e nëndetëseve ruse dhe bazave ushtarake në Google shumë kohë përpara luftës në Ukrainë.