Dënimi më 18 vjet burg për Talo Çelën, lidhur me grabitjen e Rinasit, mbetet në fuqi. Vendimi i shpallur nga GJKKO për 18 vjet burg mori formë të prerë, sepse ka kaluar çdo afat për të bërë kundërshtim në Apelin e Posaçëm.
As avokatët mbrojtës, as vetë Çela i cili është në arrati prej disa vitesh, nuk e ka ankimuar vendimin. Përfaqësuesi ligjor që e mbrojti në Shkallën e Parë ishte i caktuar kryesisht dhe ndodhur në rrethanat kur i pandehuri nuk i dha prokurë të posaçme, rrëzoi mundësinë që t’i drejtohej apelit.
Më nëntor të 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi me 18 vite burg në mungesë, Talo Çelën për grabitjen e 5.4 milionë eurove në aeroportin e Rinasit. Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar 19 vite burg për Talo Çelën. Ai është i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe procesi i gjykimit ndaj tij u bë në mungesë dhe i ndarë nga pjesa tjetër e grupit.
Ndërkohë 7 anëtarët e tjerë të grupit që realizuan grabitjen e parave janë dënuar me 122 vite burg. Bëhet fjalë për Klement Çala, Eldi Çala, OItjon Veseli, Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli, Alkond Bengasi. Apeli ka dënuar me 20 vite burg Klemend Çalën, ndërsa Eldi Çala dhe të pandehurit e tjerë, Oltian Veseli, Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli dhe Alkond Bengasi, janë dënuar me nga 17 vjet burg secili.
Grabitja e Rinasit ndodhi në datën 9 prill të 2019. Në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion. Gjatë ndjekjes nga policia dhe pas shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë organizatori kryesor I grabitjes, Admir Murataj.