Fenomeni i vjedhjes dhe grabitjes ka marrë përmasa të frikshme kohët e fundit. Në thuajse të gjitha lagjet, rrugët e rrugicat vjedhja është e përditshme dhe e pranishme. Nuk janë vetëm makinat e orenditë shtëpiake pre e hajdutëve, por çdo objekt tjetër që mund të shitet e tregtohet përbën për ta një pre të preferuar. Puseta kanalesh, kabllo elektrik, përcjellës të ndryshëm prej bakri, shtylla ndriçimi, zbukurues, tabela të sinjalistikës rrugore, stola metalikë, kangjella, rrjeta bakri e hekuri, pasqyra, kasetofonë etj.

Gjithçka e çdo gjë është bërë objekt vjedhje. Fenomeni ka qenë i pranishëm kurdoherë, ndërkohë që vitet e fundit rastet janë përditësuar deri në shqetësim serioz për policinë dhe komunitetin. Kjo kategori që jeton me vjedhje nuk ka kursyer asgjë duke depërtuar deri tek matësit e ujit, gançat e portave në banesa private, monumentet e bustet e emrave të njohur të historisë kombëtare.

Edhe objektet apo shkronjat e emrave prej bronxi të dëshmorëve, luftëtarëve e patriotëve kanë pasur të njëjtin fat, atë të vjedhjes ditën e natën, herë pas here. Për të mos u mjaftuar me kaq, grupe ordinere kanë guxuar e prekur edhe varrezat publike duke marrë që andej çfarë kanë mundur për ta shitur. Vjedhja e materialeve për t’i shitur për skrap nuk ka kursyer as matësit e ujit në lagjet e qytetit të Durrësit. 

Në shumë prej kasetave të vjedhura nuk shkon uji, ndërsa në disa të tjera për shkak të vjedhjes së matësve uji derdhet kot. Të lidhur ngushtë me pikat e grumbullimit të skrapit, njerëz që jetojnë me vjedhjet e sendeve të ndryshme kanë dëmtuar çfarë kanë dashur, si kanë mundur dhe sa herë që e kanë parë të arsyeshme. Pre dhe viktimë janë bërë edhe kopshtet, shkollat, administratat, institucionet, shoqëritë e ndryshme të cilave u janë marrë zgarat prej hekuri të dyerve e dritareve; rrethimet e zbukuruara me hekur; portat e jashtme etj.

Ndonëse policia dhe institucionet janë përpjekur të mos e dramatizojnë fenomenin tejet shqetësues, realisht rastet e panumërta kanë dhënë tashmë alarmin e pasigurisë për çdo gjë që mund të shkulet, të pritet a të shitet për skrap. Edhe pse shumë persona kanë përfunduar në dhomat e izolimit dhe janë dënuar nga drejtësia për veprën penale të vedhjes, ndëshkimet nuk kanë pasur ndonjë efekt pozitiv.

Pusetat

Mjafton një shëtitje në lagjet kryesore të Durrësit për të mësuar se në ç’gjendje janë pusetat e kanaleve kulluese dhe ato të sistemit të tubacioneve të ujit të pijshëm dhe kabllove telefonik e elektrik. Vjedhja e kapakëve të pusetave në rrugët, lulishtet, rrugicat dhe qendrat urbane ka shtyrë policinë të ndërmarrë disa kontrolle për të vënë para përgjegjësisë autorët, por pa arritur të normalizojë situatën.

Mungesa e pusetave ka qenë shkaktare e aksidenteve të shumta, pasi jo vetëm mjetet përfundojnë në gropat e mbetura hapur e pa kapakë, por edhe këmbësorët bien viktima të tyre. Këta të fundit pësojnë dëmtime shumë serioze duke përfunduar jo rrallë edhe në spital me fraktura të rënda. Jo vetëm kapakët e pusetave që përshkojnë mes për mes shumë rrugë janë hequr, por të njëjtin fat kanë pasur edhe pusetat anësore apo rrjetat kulluese dhe urat e vogla mes rrugicave.

Kjo kategori që jeton me vjedhje nuk ka kursyer asgjë duke depërtuar deri tek matësit e ujit, gançat e portave në banesa private, monumentet e bustet e emrave të njohur të historisë kombëtare. Rastet e panumërta kanë dhënë tashmë alarmin e pasigurisë për çdo gjë që mund të shkulet, të pritet a të shitet për skrap

Fare pak puseta gjen sot në Durrës me kapakë të rregullt, ndërsa ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve bën të ditur se zëvendësimi i tyre thuajse është i pamundur, pasi fenomeni përsëritet në mënyrë të pandërprerë. Policia ka mundur të identifikojë sipas rasteve jo pak persona por deri tani e ka pasur të pamundur të normalizojë situatën e krijuar.

Nga ana tjetër komuniteti vazhdon të qëndrojë pasiv, duke mos bashkëpunuar me strukturat e policisë në rastet kur shikon se si grabitësit dhe hajdutët shkulin në mes të ditës, para syve të tyre, kapakët e pusetave, kabllot, gardhet rrethues, tubat e ndriçuesve rrugorë, tabelat e sinjalizimit dhe shumë të tjera.

Dhunimi i varrezave

Disa denoncime janë depozituar në policinë e shtetit për dhunimin që u janë bërë varreve. Persona të mbetur anonim nuk kanë kursyer as këtë vend dhe kryesisht varre të punuara mirë dhe të rrethuara me gardhe prej hekuri. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për dëmtimin e qëllimtë të varreve nga persona që kanë pasur probleme personale me të ndjerët apo me familjet e tyre.

Në këtë rast varret dëmtohen për qëllime përfitimi. Shqetësim mbetet për to depërtimi natën në brendësi të rrethimit të varreve për të marrë që andej pllaka mermeri të vendosura në pjesët anësore apo horizontalisht mbi varr. Së bashku me to në mjaft varre vihet re dëmtimi i gërmave prej bronxi që hiqen për t’u shitur. Një pjesë e varreve janë zbukuruar me sende të kushtueshme si dekor dhe të gjitha janë bërë pre e lakmuar për hajdutët. Varrezat e qytetit janë të rrethuara dhe ruhen ditë-natë me roje.

Por kjo nuk i ka penguar grabitësit. Ka pasur edhe persona që nën zë janë shprehur se vjedhjet janë kurdisur  nga pika që përgatisin pllaka varri dhe bëjnë zbukurimet e tyre. Por policia nuk ka mundur të bëjë një lidhje të tillë edhe pse mësohet se ka pasur hetim për një rast të dyshuar. Familjarët janë detyruar të ribëjnë nga e para vazot, pllakat apo vazot zbukuruese dhe të rishkruajnë gërmat e hequra.

Monumentet e dëmtuara

Drejtori i rrjetit muzeal në Durrës, Edmond Agolli, ka ngritur shqetësimin për pllakat përkujtimore në qytet, bustet e monumentet të cilat janë dëmtuar nga dora e keqbërësve. “Sapo kemi vënë re dëmtimin e tyre kemi ndërhyrë duke vendosur gërmat apo pllakat e shkulura, por kjo nuk mjafton, pasi fenomeni duhet ndëshkuar rëndë dhe duhet t’i jepet fund”,- shprehet Agolli.

Ai ka përmendur shumë raste duke u ndalur tek dëmtimi i gërmave të monumentit të Mujo Ulqinakut, përmendorja tek Torra në hyrje të shëtitores “Taulantia”, heqja e kokës prej bronxi të Sabri Tuçit e të tjera. Shumë nga këto veprime janë cilësuar të qëllimta pasi në jo pak raste janë vënë re edhe përbaltje të fasadave, gërvishje e thyerje të busteve apo monumenteve, ciflime të relieveve etj. Nisur nga shkëmbimi i informacioneve në rrugë institucionale Agolli pohon se “Dëmtimet janë të qëllimta për të vjedhur bakrin, bronxin, hekurin etj.”.

 

Punëtori i varrezave: Varret dëmtohen qëllimisht

Jam usta dhe ndihmoj mjeshtrat kur rregullojnë varret. Shoh shumë herë varre të prishura. I dëmtojnë qëllimisht. U heqin ato që duan dhe ikin. Unë kam vite që punoj këtu, kur ka punë. E njoh mirë këtë vend. Roja nuk lëviz nga vendi i punës, shkon poshtë e lartë për të parë, por hapësira është e madhe dhe ata që duan të bëjnë keq janë shumë dhe ndjekin lëvizjet e rojes. Nuk rri ky vend pa rojë as ditën e as natën. Vijnë familjarë dhe dëgjoj se ankohen për dëmet që u janë bërë. U heqin gardhet prej hekuri, pllakat, shkulin atë që duan dhe ikin. Kapërcejnë murin kur hynë e kur dalin. Nuk dihet se cilët janë. Çfarë t’u bësh, ata ruhen dhe nuk bien në sy. Është vështirë t’i kapësh. Unë nuk di nëse ka ardhur policia ndonjëherë. Nuk më ka thënë njeri a kanë shkuar familjarët për të kërkuar ndihmën e policisë.

RETRO

Vjedhja e “kokës” së Sabri Tuçit 

Busti i i “Skulptorit të Merituar” Sabri Tuçi ka pasur të njëjtin fat si dhe shumë monumente e buste të tjera. Hajdutët që më së shumti janë marrë me vjedhjen e  pusetave në rrugë të ndryshme të qytetit, këtë radhë kanë hequr kokën prej bronxi në monumentin e vendosur pranë murit të kalasë në qytetin bregdetar për ta shitur atë për skrap. Në fakt tek ky monument disa herë ishin vjedhur gërmat prej bronxi, të cilat autori i këtij monumenti, skulptori Idriz Balani, i kishe vendosur në pjesën prej guri. Pas vjedhjes së gërmave, hajdutët kanë rrëmbyer kokën prej bronxi, duke shënuar kështu një rast të rrallë të grabitjes së veprave të artit me qëllimin për t’i shitur ato për skrap. Fitimi në këtë rast ëhstë shumë i vogël kur krahasohet me dëmin mjaft të madh dhe imazhin e keq që krijohet për gjendjen e monumenteve të vendosura në mjedise e terrene të hapura, në parqe, lulishte e sheshe. Dhunimet e veprave të artit kanë vënë në merak të madh artistët, skulptorët, urbanistët, piktorët, arkitektët. Të gjitha ndihen të pasigurtë për punën e realizuar, për projektet e zbatuara apo të tjerat që presin të realizohen në të ardhmen. Monumenti i Sabri Tuçit gjendet vetëm disa metra larg memorialit që është ngritur për Mujo Ulqinakun dhe rezistencën e 7 Prillit. Në të njëjtën zonë u vodh një shatërvan që gjendej para Torrës Veneciane, i cili përbëhej nga një bazament gize dhe disa sfera prej inoksi.