Myrto Uzuni pritet të zyrtarizohet te Granada në La Liga. Sulmuesi shqiptar pritet të kalojë për 3.5 milionë euro në Spanjë.

Vetë klubi spanjoll ka treguar së fundmi se po bën gati fanellën e re, duke lënë të nënkuptohet për zyrtarizimin e Uzunit.

Lojtari ka shkëlqyer me Ferencvaroshin, duke qenë në një vit e gjysmë atje lideri i repartit të avancuar, duke bindur me lojë dhe me gola të rëndësishëm të shënuar në kampionat dhe në Europë, ku provoi fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve e së fundmi edhe të Ligës së Europës.

Paraqitje të cilat kanë tërhequr vëmendjen e klubit të Granadas në Spanjë dhe sipas mediave hungareze, por edhe spanjolle konfirmohet se ai do të jetë destinacioni i tij i radhës.

Sulmuesi mungoi në ndeshjen e djeshme të Ferencvaroshit ndaj Ujpeshtit, pasi u konfirmua se ka udhëtuar drejt Spanjës për të firmosur me klubin e ri.

Uzuni do të kryejë vizitat mjekësore dhe firmosë për 4 vite me klubin spanjoll përpara mbylljes së merkatos së janarit, e cila në Spanjë ashtu si në pjesën më të madhe të vendeve Europiane mbyllet gjatë ditës së sotme.