Histori e çuditshme ajo që vjen nga Spanja, ku klubi i Segunda Division Granada ka përfunduar në qendër të vëmendjes për një arsye kurioze dhe që ka përmasat e një skandali.

Vetë klubi ditët e fundit ka bërë një denoncim në polici, në lidhje me disa kamera të zbuluara në ambientet e brendshme të stadiumit. Kamerat e fshehta ishin vendosur në dhomat e zhveshjes në stadiumin e Granadas, duke u fshehur brenda detektorëve të zjarrit, apo alarmit.

Sipas "El Mundo", policia ka zbuluar 5 kamera në total. Në denoncimin e bërë nga Granada thuhet se fajtori për vendosjen e kamerave është ish-drejtori i përgjithshëm Angel Gonzalez Segura, i cili është pushuar nga puna në vitin 2017.

Segura punonte për klubin kur pronësia ishte e familjes Poco, që ka edhe Udinezen në Itali, ndërsa në vitin 2016, Granada kaloi në duart e grupit kinez Desport. Nuk dihet saktë arsyeja e vendosjes së kamerave dhe hetimet vazhdojnë.