Një grup i grave të burgosura për arsye politike që mbahen në burgun famëkeq Evin të Teheranit, kanë organizuar një portestë kundër ekzekutimit të fundit të tre protestuesve. Ato gjithashtu protestuan kundër rritjes së përdorimit të dënimit me vdekje, i cili është kritikuar gjerësisht nga grupet e të drejtave të njeriut dhe qeveritë në mbarë botën.

Sipas raporteve të publikuara më 23 maj nëpër rrjete sociale, disa nga të burgosurat më të njohura politike femra, duke përfshirë Sepideh Gholian, Bahareh Hedayat, Faezeh Hashemi dhe Narges Mohammadi, morën pjesë në një protestë brenda burgut, ku secila prej tyre lëshuan deklarata duke dënuar valën e ekzekutimeve. Golrokh Ebrahimi Iraee, një tjetër e burgosur, tha: “Të burgosurat politike femra të burgut Evin mbajtën një ceremoni të shtunën [20 maj] në oborrin e repartit të grave për të protestuar ndaj ekzekutimeve të fundit, duke përfshirë ekzekutimin e dy personave në burgun e Arakit me akuzën për blasfemi [sharje e zotit], dhe tre ekzekutimet e fundit në Isfahan”. Iraee, e cila në prill u dënua me shtatë vjet burg për krime “kundër regjimit”, tha se “natyra e këtij regjimi është të eliminojë fizikisht kundërshtarët, kritikët dhe ata që protestojnë kundër politikave të tij”.

Nuk është bërë e ditur nëse gratë u ndëshkuan për protestën. Gjyqësori i Iranit, i nxitur nga liderët e lartë, ka marrë një qëndrim të ashpër kundër protestuesve që demonstrojnë kundër vdekjes së Mahsa Amini në shtator. Njëzetedy vjeçarja vdiq teksa po mbahej në paraburgim nga policia në Teheran, pasi u ndalua me arsyen se nuk e kishte vendosur shaminë e kokës në mënyrë të duhur. Vdekja e saj ngjalli zemërim në të gjithë vendin, duke bërë që dhjetëra mijëra persona, të udhëhequr nga gra dhe student, të dalin në rrugë duke kërkuar më shumë liri.

Përgjigja e ashpër e forcave të sigurisë iraniane ka intensifikuar protestat, me shumë që kanë bërë thirrje që lideri suprem Ayatollah Ali Khameni të japë dorëheqjen. Deri më tani, autoritetet iraniane kanë ekzekutuar të paktën shtatë protestues. Aktivistja e burgosur Mohammadi tha se qeveria “po hakmerret ndaj lëvizjes revolucionare në një mënyrë brutale duke ekzekutuar dhe vrarë njerëz”.

“Irani i vitit 2023 nuk është Irani i viteve 1980. Nëse qëllimi i ekzekutimeve në vitet ’80 ishte krijimi i frikës, tmerrit dhe shtypja e rrymave dhe tendencave të ndryshme, ekzekutimet e fundit do të kenë efektin e kundërt”, tha ajo. Grupi i të Drejtave të Njeriut në Iran me bazë në Norvegji thotë se këtë vit të paktën 275 persona janë ekzekutuar në Iran, duke përfshirë të paktën 90 në tre javët e fundit, duke e bërë majin “muajin më të përgjakshëm” në vend në pesë vitet e fundit.

Aktivistja Gholian, e arrestuar në fillim të këtij muaji pasi kritikoi publikisht Khamenein, tha gjatë protestës se “misioni ynë është tani më i qartë. Ata do të largohen para se të mbarojnë të gjitha rezervat e naftës. Ne do të kërcejmë me pasion në atdheun tonë”. Vida Rabbani, Nasrin Khazri Javadi, Shakila Manfred, Zohreh Sarv dhe Mahvash Shahriari ishin të burgosurat tjera politike që morën pjesë në tubimin brenda burgut.