Pandemia ka mbërthyer prej fyti për herë të katërt Greqinë. Autoritetet vendase raportojnë prej tre ditësh një numër rekord viktimash.

Të martën, sipas njoftimit të shpërndarë nga autoritetet shëndetësore numri i personave që humbën jetën ishte 75, nga 90 që ishin regjistruar ditën e hënë. Problem është edhe numri i qytetarëve që ndodhen në gjendje të rëndë, që numërohen rreth 700 të tillë.

Të dhënat nuk janë optimiste as nga shifra e rasteve të reja, ku në 24 orët e fundit janë regjistruar rreth 6200 raste, duke u kthyer në nivelet e muajve shkurt-mars, kur vendi u fut në izolim total për shkak të pandemisë.

Ndërkohë, Greqia ka zyrtarizuar vendimin për vaksinim të detyrueshëm për personat mbi 60 vjeç, që përbëjnë edhe numrin më të lartë të atyre të të shtruarve në spital dhe të atyre që janë në gjendje të rëndë.

Një tjetër propozim që mund të konsiderohet nga Qeveria është që për të gjithë personat e pavaksinuar të hiqet nga përdorimi i testit të shpejtë, për shkak të mundësisë së madhe që ky test të gabojë, apo të falsifikohet dhe të kërkohet vetëm test PCR.