Ministrat e Mbrojtjes dhe Arsimit të Greqisë kanë njoftuar masa të reja për të tërhequr të rinjtë grekë të studiojnë në shkollat e Larta Ushtarake të vendit, në një lëvizje për të përballuar rënien e regjistrimeve në to, pasi vetëm këtë vit pati një mungesë prej rreth 450 vendesh të lira, ose gati 35% më pak se disa vite më parë.
Nikos Dendias dhe Kyriakos Pierakkakis kanë deklaruar edhe paga më të larta, lehtësira më të mira dhe mundësi të reja për zhvillimin e karrierës, për t’i bërë forcat e armatosura më tërheqëse për të rinjtë.
Ata njoftuan se pagat mujore të studentëve në Institucionet e Arsimit të Lartë Ushtarak do të rriten nga 165 euro në 609 euro. Në shkollat e larta ushtarake të Nënoficerëve pagat do të rriten nga 124 në 249 euro. Përveç kësaj, atyre do t’u jepet një leje studentore dhe fondet e mbështetjes dhe përfitimit të studimit do të dyfishohen.
“Nuk mendoj se duhet të zgjerohem mbi rëndësinë që ka për atdheun mundësia e prodhimit të pjesëtarëve të rinj të Forcave të Armatosura dhe çfarë problemi të madh krijon situata aktuale, nëse ajo përparon me kalimin e kohës”- u shpreh Nikos Dendias Ministër i Mbrojtjes.
“Nuk është vetëm një çështje arsimore. Unë do të thosha se është në radhë të parë një çështje kombëtare, është çështje e gjendjes së vendit.“-u shpreh Kyriakos Pierakkakis, Ministër Arsimit, Çështjeve Fetare dhe Sporteve.
Pranimet në shkollat ushtarake do të mundësohen edhe nga shkollat e mesme profesionale, ndërsa do të ofrohen mundësi të reja kërkimi, specializimi dhe zhvillimi – doktoraturë, master dhe bashkëpunim i shkollave me universitete në Greqi dhe jashtë saj.
Përveç kësaj, qeveria do të modernizojë objektet dhe pajisjet në nëntë shkolla ushtarake, me 19.7 milionë euro nga Programi i Investimeve Publike dhe 18.1 milionë euro nga donacionet.
Ndër të tjera, raportohet se po përfundon ndërtimi i 1000 nga 3000 shtëpitë e reja si projekt për të mbështetur personelin ushtarak dhe familjet e tyre që shërbejnë në ishuj deri në vitin 2030.
Sfida më serioze me të cilën përballet Departamenti i Mbrojtjes është gjetja e burimeve për të rritur pagat ushtarake që janë ende të ulëta, sidomos për pjesëtarët e trupave ushtarake që shërbejnë në kufi, në ishuj apo në Marinën ushtarake dhe forcat ajrore .