Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, prezantoi axhendën e tij ekonomike për vitin e ardhshëm.

Ai përshkroi nëntë sfida për qeverinë e tij, ku u theksua konvergjenca e pagave në sektorin publik dhe privat, rritja e punësimit, tranzicioni i gjelbër dhe reagimi efektiv ndaj krizës demografike dhe klimatike.

“Unë nuk mbaj me vete sot një thes me përfitime joserioze, por vetëm sugjerime për opsione të dobishme dhe efektive,” tha Mitsotakis, gjatë një kohe kur tetë shtete, përfshirë ekonomitë kryesore si Italia dhe Franca, janë vënë tashmë nën mbikëqyrje nga Komisioni Evropian për mbishpenzime.

Mes 45 masave të shpallura nga kryeministri grek, janë rritja e pensioneve për 2 milionë pensionistë në fillim të vitit të ardhshëm dhe rritja e re e pagës minimale nga muaji prill.

Qeveria greke planifikon të shpenzojë 3 miliardë euro për masat vetëm në vitin 2025, çka përbën 1.5% të PBB-së. Vendi fqinj është ende duke u rikuperuar nga një krizë ekonomike e viteve 2009-2018 që preku pothuajse një të katërtën e ekonomisë së tij dhe gati sa e nxori Greqinë nga Eurozona.

U vendosën masa shtrënguese që ulën pagat dhe pensionet. Megjithatë, grekët patën një rimëkëmbje të qëndrueshme dhe paga mesatare është rritur me kalimin e viteve. Nga ana tjetër, papunësia është ende e dyta më e lartë në BE me 10%.

Fuqia blerëse është gjithashtu ndër më të ulëtat në bllok. Luftimi i ndryshimeve klimatike dhe tranzicionit të gjelbër është i rëndësishëm për Greqinë, sepse zjarret katastrofike dhe përmbytjet patën efekte shumë negative në financat publike.