Ulqinaku: Janë izoluar 5 raste. S’ka vend për panik në popullatë

Virusi i gripit amerikan po qarkullon prej pak ditësh edhe në Shqipëri. Epidemiologët e Institutit të Shëndetit Publik kanë regjistruar rastet e para me AH3N2, duke kërkuar rritjen e vigjilencës nga bluzat e bardha dhe kujdesin e qytetarëve.

Pesë rastet me tipat e ndryshëm të viruseve gripale janë lokalizuar në Tiranë.

Specialistët e ISHP-së shprehen se nuk ka vend për panik, pasi intensiteti i virusit është i ulët në Europë. “Nëse përpara një jave virusi i gripit nuk qarkullonte në Shqipëri, tani laboratori i virologjisë ka izoluar rastet e para për tipat A dhe B.

Këto viruse kanë qarkulluar edhe vitet e kaluara dhe nga informacionet e OBSH-së, rezulton se nuk paraqesin ndonjë veçori këtë vit”, tha Dritan Ulqinaku, specialist në Departamentin e Sëmundjeve Infektive në ISHP.

Ai shtoi se shenjat e prekjes nga gripi janë dhembje koke, kollë, temperaturë e lartë.

“Të prekurit duhet të kontaktojnë mjekët e familjes në rast se shfaqin simptoma të tilla”, tha Ulqinaku.

Ai shtoi se numri i të prekurve nga virozat ka arritur në 13 000, por sërish është më i ulët se vitin e kaluar.