Shoqata e Shpendërritësve shqiptarë dhe disa nga kompanitë e dëmtuara nga gripi i shpendëve në muajin mars kanë protestuar ditën e sotme për dëmshpërblimin e munguar nga ana e qeverisë për dëmin e shkaktuar në bizneset e tyre prej ngordhjes masive të rreth 1 milion shpendëve.

Sëmundja e Influencës Aviare shkaktoi një dëm kolosal në tre kompani të mbarështimit të pulave në qarkun e Durrësit, ndërsa deri më tani instancat shtetërore nuk kanë ngritur ende shtabet përkatëse për përllogaritjen e dëmeve dhe nisjen e procedurave të dëmshpërblimit monetar.

Sipas kreut të shoqatës së Shpendrritësve, Edmond Mara, ndryshe nga çfarë ka ndodhur në të gjitha vendet e tjera të goditura nga Influenca Aviare, ku shteti ka kompensuar kompanitë e dëmtuara, në vendin tonë kjo praktikë nuk po ndodh.

Mara thekson se megjithëse disa nga kompanitë ndoqën të gjithë protokollin veterinar për asgjësimin e shpendëve të ngordhuara dhe eliminimin e atyre të prekura, strukturat shtetërore nuk kanë bërë asnjë hap para për të zbatuar vendimin e qeverisë të majt të vitit 2013 ku sanksionohet zhdëmtimi i kafshëve dhe shpendëve që asgjësohen në zbatim të vendimit të marrë nga autoriteti kompetent, ose për të cilat është provuar që kanë ngordhur pas zbatimit të masave të parashikuara në programin shtetëror të profilaksisë veterinare.

Ndërsa përfaqësueset e dy kompanive Enka Rushani nga A.I.B.A Kompani dhe Aida Deda nga kompania Hajg ngritën shqetësimin për rivënien në punë të biznesit të tyre.

Aktualisht, kompanitë janë në remont dhe janë në pritje të përfundimit të periudhës së dezinfektimit nga virusi i shpendëve, për të vijuar më pas me ripopullimin e kapanoneve, në të cilat tani për tani nuk ka asnjë shpend.

Kompanitë i shqetëson fakti që deri më tani nuk kanë asnjë përgjigje zyrtare për kompensimin e dëmit të shkaktuar nga asgjësimi dhe ngordhja e pulave, edhe pse afati ligjor një mujor është tejkaluar disa herë.

Sipas tyre, jo zyrtarisht ata kanë mësuar se nuk do të kompensohen për dëmin e shkaktuar.

Për ta, ky qëndrim i qeverisë është jo vetëm anti-ligjor, por edhe diskriminues ndaj biznesit, ndaj asaj pjese të biznesit që respekton ligjet dhe procedurat.

M.B.