Në konferencën e fundit për shtyp të jurive të festivalit, kryetari i jurisë ndërkombëtare, aktori i mirënjohur Mirush Kabashi, deklaroi para gazetarëve se,- “përzgjedhja e çmimit fitues të këtij edicioni është bërë mbi bazën e formimit tonë, por kjo nuk nënkupton se filmat e tjerë konkurent nuk meritonin të fitonin. E keqja e konkurimit është se ka vetëm një çmim për çdo kategori. E vetmja gjë që do të ishte negative është fakti nëse autorët e filmave konkurues do të mendonin se kemi paragjykuar apo kemi qenë të interesuar për vlerësimin e këtij apo atij filmi”.

Kabashi vlerësoi të gjithë prodhimet kinematografike në garë për çmimin fitues dhe njëkohësisht cilësinë e lartë artistike me të cilën ishte realizuar secili prej tyre.

Ndërkohë anëtari i jurisë së FIPRESCI-t Pierre Simon Gutman, i cili do të shkruajë në shtypin ndërkombëtar mbi këtë eveniment artistik, theksoi se filmat e paraqitur në këtë edicion ishin interesantë dhe pjesa dërrmuese e skenarëve të tyre ngjante e përndjekur nga e kaluara. Veçanërisht një gjë e tillë sipas tij dilte në pah në filmat ballkanikë.

“Kur sheh një film që trajton tematikat e Ballkanit, është sikur shtyp një buton që të ndihmon për të kuptuar se çfarë ndodh në këto vende, se çfarë ndjejnë këta njerëz, që të flet për dhimbjen e tyre”,- tha Gutman. Në të njëjtën kohë Gutman nënvizoi faktin se gjëja më e rëndësishme për përzgjedhjen e filmit fitues duhet të ishte vizioni koherent dhe se juria e festivalit është bazuar pikërisht në këtë vizion për të bërë përzgjedhjen e filmit fitues të çmimit “Gladiatori i artë”.