DURRES, 11 qershor 2013 – Ministri i drejtësisë dhe kandidati demokrat për deputet Eduard Halimi, i cili është edhe kryetari i grupit të punës për Qarkun e Durrësit, ka zhvilluar dy takime me banorët e zonës së Shkozetit, njëri pranë Gjykatës së Apelit dhe tjetri pranë ish-NISH Kimikes.

Në këto zona të lagjes 14 të qytetit të Durrësit, Eduard Halimi ka premtuar ndërtimin dhe asfaltimin e të gjitha rrugëve të brendshme me anë të një ligji të ri, i cili do t’i japë kompetencë qeverisë qëndrore në implementimin e projekteve për përmirësimin e infrastrukturës publike.

Duke akuzuar Bashkinë e Durrësit si modelin më të keq të administrimit të qytetit, Eduard Halimi u tha banorëve se brenda dy viteve të para të mandatit të tretë do të shtrohen të gjitha rrugët dhe do të ndërtohen rrjetet e kanalizimeve dhe kolektorët kullues të ujrave të zeza.

Kreu i grupit të punës së Partisë Demokratike për Qarkun e Durrësit, i cili është edhe deputet i zonës së Shkozetit, u premtoi banorëve dhënien e tapive elektronike të pakontestueshme dhe regjistrimin e pronës në regjistrin dixhital.

Duke biseduar gjatë me ta për çështjen e legalizimeve, Eduard Halimi tha se qeveria shqiptare do të rishikojë çmimin e tokës dhe se ky proçes do të finalizohet me çmimin real të saj përsa i takon objekteve që do të legalizohen.

Gjatë fjalës së tij, ai theksoi planin e qeverisë për hapjen e 250 000 vendeve të punës me anë të uljes së taksave të biznesit dhe krijimin e fasiliteteve për nxitjen e biznesit dhe krijimin e mundësive të punësimit.