‘Rreziku i përhapjes së hantavirusit në popullatën globale është “absolutisht i ulët”‘, ka njoftuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Ky reagim vjen pas një shpërthimi në anijen turistike MV Hondius, ku humbën jetën 3 pasagjerë.

“Ky është një virus i rrezikshëm, por vetëm për personin që është në të vërtetë i infektuar. Rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet jashtëzakonisht i ulët”, tha për gazetarët zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier.

Ai theksoi se edhe midis njerëzve që ndanin kabina me një person të infektuar në anijen turistike MV Hondius, “duket se, në disa raste, asnjëri prej tyre nuk është infektuar”.

“Nuk është si fruthi, për shembull: nëse je këtu në sallën e shtypit dhe dikush përpara po kollitet, rreshtat e parë do të jenë në rrezik. Kontakti i ngushtë do të thotë praktikisht hundë më hundë. Ky nuk është një Covid i ri”, përfundoi ai.