NATO ka dhënë një paralajmërim të fortë për Evropën, duke e quajtur hapësirën “frontin e ri të luftës” dhe kërkuar veprime urgjente për të shmangur dominimin e saj nga SHBA, Kina apo Rusia.

Admirali i lartë i NATO-s, Pierre Vandier, i ka bërë thirrje vendeve evropiane të investojnë më shumë në teknologji hapësinore, duke theksuar se “nuk mund të ketë sovranitet evropian pa sovranitet në hapësirë”.

Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah rëndësinë e satelitëve për komunikim dhe inteligjencë, por edhe varësinë kritike të Evropës nga kompani si SpaceX e Elon Musk. Edhe Komanda Hapësinore e SHBA-së e ka përshkruar hapësirën si një “mjedis strategjik shumë konkurrues”, me Kinën dhe Rusinë që shihet si sfidë kryesore.

NATO është veçanërisht e shqetësuar për zhvillimin e armëve orbitale dhe të teknologjive që mund të shkatërrojnë ose bllokojnë satelitë – një rrezik që mund të ndryshojë balancën ushtarake dhe të paralizojë komunikimet e një vendi.

Çfarë kërkon NATO:

  • Investime në yjësi satelitore të orbitës së ulët (më të lira dhe më fleksibël).
  • Më shumë mbështetje për startup-et evropiane të teknologjisë hapësinore.
  • Një ligj evropian për mbrojtjen, që do të krijonte kushte të favorshme për zhvillimin e teknologjisë me përdorim të dyfishtë.
  • Krijimin e një tregu hapësinor europian, të ngjashëm me modelin amerikan.

Ndërkohë, Evropa përpiqet të hyjë në tregun “New Space”, por suksesi ka qenë i kufizuar. Rasti i startup-it gjerman Isar Aerospace, që pësoi shpërthim pak sekonda pas lëshimit, dhe sateliti norvegjez që u lëshua përmes SpaceX, e tregojnë sfidën.

Sipas Vandier, roli i NATO-s në hapësirë po rritet, por është e domosdoshme që të forcohet bashkëpunimi ndërmjet aleatëve për të ruajtur balancën globale.

Sipas tij, “do të ishte mirë të kishim një deklaratë për universin”, duke iu referuar nevojës që hapësira të përfshihet seriozisht në objektivat strategjikë të Aleancës.