DURRES- Ndonëse po bëhet viti, trupi i pajetë i kapitenit të anijes turke "Edirne", që u fundos në Porto-Romano, vazhdon të jetë në morgun e Spitalit Rajonal të Durrësit. Përgjatë kësaj kohe askush nuk është interesuar për tërheqjen e kufomës së Khayyam Mammadov nga Azerbajxhani. Qëndrimi për një kohë të gjatë në frigoriferë, të cilët nuk plotësojnë kushtet për ruajtjen e kufomave, ka bërë që i gjithë morgu të kundërmojë erë të rëndë. Ndërkohë, që në morg është dhe një tjetër kufomë e paidentifikuar, e cila u gjet më 13 nëntor të këtij viti në ujërat e detit Adriatik.

Burime nga morgu i Spitalit të Durrësit dje pohuan për "Gazeta Shqiptare", se prokuroria ka "harruar" të veprojë për varrosjen e të ndjerëve, duke ua lënë atyre peshqesh në derë. "Që prej 11 muajsh trupi i kapitenit të anijes 'Edirne', Khayyam Mammadov, gjendet në një prej frigoriferëve të morgut. Kufoma është krejtësisht e dekompozuar dhe askush nuk vjen ta tërheqë", shprehen punonjësit e morgut. Sipas tyre, e njëjta gjë po ndodh edhe me trupin e pajetë të një gruaje, e cila para një muaji u gjet 12 milje larg prej bregut nga peshkatarët. 

"Prokuroria duhet të jepte urdhër për varrimin e tyre nga komunalja. Morgu i Durrësit nuk ka kushte për ruajtjen e kufomave, sepse frigoriferët ngrijnë deri në minus 5 gradë celsius, ndërsa për ruajtjen e trupave në kushte optimale kërkohet minus 15 gradë celsius. Në këto kushte trupat janë dekompozuar në frigoriferë. Ndërkohë, ne nuk mund të punojmë dot prej erës së rëndë që kundërmon në të gjithë ambientin dhe të zë frymën", pohojnë punonjësit e morgut. Po të njëjtat burime sqarojnë se kapiteni i anijes turke, "Edirne", me shtetësi azerbajxhanase nuk është kërkuar të tërhiqet as nga të afërmit e tij dhe as nga ambasada e këtij vendi. Sipas punonjësve të morgut, kanë kaluar të gjitha afatet ligjore, ndaj duhet të urdhërojë komunalen për varrosjen e kapitenit të anijes turke.