Si u përndoq gjatë regjimit familja që luftoi kundër serbëve, italianëve e komunistëve. Histori, dëshmi, dokumente e kujtime të njohjes me familje të mëdha nacionaliste. Episode të persekutimeve në kampet e internimit. Si u vetëvra një i ri nga Shkodra i cili ishte dërguar për riedukim në repartin e xhenios

Një shekull kanë kaluar në kampet e rrethuara me tela me gjemba dhe në punë të detyruar tre pjesëtarë të familjes Hasani nga Pista e Shëmrisë së Kukësit, që sot banon në Shën Vlash të Durrësit. Vendime pas vendimesh nga gjykatat ushtarake, këshillat e fshatrave dhe të lagjeve mbushën dosjet kundër familjes së Mustaf Hasanit për shkak se ai dhe fisi tij ishin nacionalistë dhe nuk e donin komunizmin. Agim Hasani, djali i vetëm i prindërve Mustaf e Aishe Hasani, i lindur dhe rritur në kampin e internimit në Savër të Lushnjes, tregon se persekutimi ka nisur që në vitin 1945 për të mos iu ndarë deri në shtatorin e vitit 1991. Plot 100 vite internim kanë tre pjesëtarët e familjes: baba, nëna dhe vetë ai.

Dënimet

Me 14 qershor 1946 gjykata ushtarake e Shkodrës dënoi me burg gjashtë nga organizatorët e Lidhjes së Çamit, lidhje që kishte si synim të organizonte revoltën e armatosur në veriun e Shqipërisë. Në mesin e të dënuarve ishte gjyshi i Agimit, Hysen Mustaf Hasani dhe xhaxhai, Halil Hasani, ndërsa babai i tij mundi të mos dekonspirohej duke i shpëtuar burgosjes por jo internimit. Akuza që rëndoi mbi ta ishte ajo e organizimit të kryengritjes së armatosur për përmbysjen me dhunë të pushtetit të popullit dhe bashkëpunim me nacionalistët e cilësuar si armiq të regjimit komunist. Mali i Çamit gjendet në Mngullë, pranë grykës së Srriçes në Kukës, në anën e Shëmrisë në kufi me Mirditën. Organizatorët e lidhjes e kishin qendrën në Shkodër dhe që andej merreshin udhëzimet për çdo gjë. Gjatë rrëfimit të tij Agimi dëshmon se “mbështetur në dosjen hetimore, në kohën kur pritej shpërthimi kryengritjes, e cila kishte më shumë se një vit që qe përgatitur, në prangat e regjimit të kohës ranë njëri pas tjetrit krerët e saj”. Sipas pohimeve të të atit, ai kujton se për disa muaj ata ishin përgjuar dhe se ndiqeshin nga disa fshatarë të gënjyer të cilët më pas shërbyen si spiunë. Gjykata ushtarake dënoi gjashtë krerët:

1.      Ymer Bardhoshi nga Laçaj me burgim të përjetshëm

2.      Mustafa Ymer Aga nga Pista me 30 vite burg

3.      Halil Halil Hasani nga Pista me 20 vite burg

4.      Bislim Elezi nga Shikaj me 30 vite burg

5.      Ramë Bajrami nga Qaf Lekë Meta me 20 vite burg

6.      Hysen Mustaf Hasani me 10 vite burg.

Mustaf Hysen Hasani dhe disa fshatarë të tjerë natën e arrestimit të krerëve nuk ishin në atë shtëpi të rrethuar. Ata shpëtuan pa rënë në pranga edhe për faktin se krerët e kryengritjes nuk dekonspiruan rrethin e anëtarëve të Lidhjes së Çamit. Asnjëri nga të dënuarit nuk pati mundësi të mohonte akuzën pasi në kohën e përballjes me forcat komuniste të ndjekjes ranë në duart e këtyre të fundit shumë dokumente, materiale dhe vendime për kryengritjen e armatosur në Veri. Por Mustafa dhe të tjerë nuk do t’i shpëtonin persekutimit. Fakti se Hyseni dhe Halili u dënuan, mjaftoi për t’i cilësuar të gjithë armiq të pushtetit komunist. Forcat e ndjekjes kishin informacion të saktë edhe për takimet e shpeshta të Hysen Hasanit me krerë të nacionalizmit në Kukës, Mirditë, Mat, Dibër e Pukë. Njëri prej tyre, Muharrem Bajraktari kishte strehë dhe mbështetje me armë, ushqime e rroba në kullën e Hysen Hasanit. Në vitin 1943 fshatarët e Pistës, Shëmrisë, Mngullës, Srriçes, Vrishit dhe Qaf Shllakut u kanë zënë pritë në rrugë dy makinave italiane të mbushura me armë. Ata ua kanë marrë armët të cilat i kanë strehuar në katin përdhes të shtëpisë së Hysen Hasanit. Sa herë që Muharrem Bajraktari kishte nevojë për armë, shkonte vetë ose dërgonte besnikët e tij në kullën e Hasanajt.

Lidhja e Çamit

Agimi tregon se gjykata ushtarake e Shkodrës kishte mbledhur informacione të shumta për të shpartalluar grupin e Lidhjes së Çamit. Kjo e fundit kishte bashkëpunim me organizatën “Bashkimi shqiptar” edhe këta me qendër në Shkodër. Për shkak se Halil Hasani ishte i shkolluar në Romë të Italisë për ushtarak, Lidhja e Çamit e kishte caktuar komandat dhe ky fakt ishte mësuar nga hetuesit përmes deponimeve që kanë bërë fshatarët e gënjyer të zonës. Halili ishte njohës i gjuhës serbe, arabe, frënge, italiane dhe angleze. Në kohën e studimeve në Prizren mësoi serbishten e arabishten më pas shkoi ushtar në Sarandë. Gjatë pushtimit italian ai së bashku me disa ushtarë të tjerë kishin vrarë disa ushtarë italianë. Pas këtij veprimi qenë larguar, por italianët i grumbulluan dhe i seleksionuan. Halili ishte i arsimuar dhe me shtatin e lartë. Këto të dy detaje u morën parasysh nga italianët të cilët e nisën me studime për në Romë. Në përfundim të studimeve, sipas dëshmive të afruara, nuk pranoi të bënte betimin për mbretin Viktor Emanueli ndaj nuk e veshi uniformën. Sapo u kthye në Shqipëri u vendos në anë të rezistencës nacionaliste dhe u bë pjesëmarrës aktiv. Njëzet vitet e dënimit me burg nga gjykata ushtarake e Shkodrës i vuajti në kalanë e Gjirokastrës, atje ku dërgoheshin të gjithë të shkolluarit në Perëndim për t’u shfarosur. Në bazë të dokumenteve mësohet se Halili kaloi të gjitha vitet në qeli me lagështi dhe mbi kokë rridhte ujë ditë e natë, kështu që u sëmur rëndë për të vdekur vetëm një vit pasi është liruar. Por dënimet dhe dëbimet nuk kanë të mbaruara. Hysen Hasani pasi përfundoi 10 vitet e burgut, u arratis në Kosovë. Në Has, teksa tentoi të kalonte kufirin me një familje vendëse, ra në pritën e forcave të ndjekjes. Sapo del në anën tjetër të kufirit shikon se gruaja, që më parë kishte një fëmijë në dorë, ishte duarthatë. Fëmija u kishte rënë natën nga dora gjatë kohës kur iknin të alarmuar për t’i shpëtuar forcave të kufirit. Çifti nga Hasi ishte përpjekur të kontrollonin në errësirë por nuk e kishin gjetur fëmijën e ndërsa zërat e forcave të ndjekjes afroheshin, ata e lënë foshnjën dhe kalojnë kufirin. Hyseni kthehet përsëri në tokën shqiptare dhe mundi ta gjente fëmijën e vogël. Veprimi tij u diktua, por përpjekjet për ta izoluar dhe kapur rob dështuan. Ai u vendos në Prizren ku edhe vdiq vite më vonë.

Si mbijetuam në kampet e komunizmit

Në një çantë-valixhe Agimi mban të gjitha dokumentet por edhe fotot që kanë të bëjnë me periudhën e persekutimit barbar nga diktatura komuniste. Aty janë të gjitha. “Është e gjithë jeta e babës, nënës, gjyshit, vëllait, dajave, kushërinjve të dënuar me dhjetëra vite burg dhe me dhjetëra e dhjetëra vite internim vetëm pse ishin kundër regjimit komunist, vetëm pse e donin Shqipërinë etnike”,-tregon Agimi. Mustafa, babai tij, ka ndërruar jetë pak vite më parë, por në këtë valixhe ai ka të ruajtur jo vetëm fotot, por edhe shënimet e shkruara. Mustafa kishte përfunduar në Burrel Internatin në kohën e Zogut, kështu që ishte ndër ata të paktë të rinj të kohës me arsim. Agimi tregon se Mustafa ka lënë shënime shumë interesante pasi në to flet për Lidhjen e Çamit, lidhje me shtrirje në të gjithë Veriun e Shqipërisë që synonte të organizonte përmbysjen me armë të pushtetit komunist; marrëdhëniet me nacionalistët e dëgjuar si Muharrem Bajraktari, Mark Gjon Markaj, Pashuk Biba; vendimet e gjykatës ushtarake; jeta në kampet e internimit dhe vuajtjet në qeli e burgje të farefisit. Prindërit e Agimit kanë vuajtur në kampet e internimit në Tepelenë, Porto Palermo, Berat, Kamëz, Lushnje. Në shfletimin e kujtimeve Agimi rrëfen se internimi u dha edhe një mundësi të cilën ai e quan si fat. Atje në Tepelenë, Berat e Lushnjë ata njohën dhe jetuan me njerëz të familjeve të mëdha nga Veriu e Jugu të cilët kishin bërë emër që nga koha e luftës me turkun e sllavët, grekët, italianët e gjermanët deri në kundërshtimin me dhunë të regjimit komunist. “Baba më ka porositur të mbajë lidhje me djemtë e nipërit e këtyre familjeve pasi ata janë gjaku i pastër i shqiptarëve të papërlyer me krimet, spiunazhet, tradhtitë”,-pohon Agimi i cili ka edhe ai kujtimet e tij pasi u lind dhe jetoi në kampin e internimit në Savër të Lushnjës deri në moshën 26-vjeçare. Atje ia shuan shumë ëndrra të moshës së rinisë, atje provoi edhe përçmimin e njerëzve të veshur me pushtet.

Prindërit e tu kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës në kampet e internimit, ndërsa ti u linde atje. Si i kujton ato vite?

Baba dhe nëna rridhnin nga familje nacionaliste. Im atë ishte nga Pista e Shëmrisë së Kukësit, kurse nëna nga familja Gjoçaj e Tropojës. Kjo bëri që regjimi komunist t’i shikonte me syrin e armikut, edhe pse fisi tyre kishte luftuar kundër serbëve, malazezëve e pushtuesve italianë. E rëndësishme për regjimin komunist ishte të shuante familjet me rrënjë të forta nacionalizmi dhe të edukonte njerëz shërbëtorë të regjimit. Pasi gjyshi Hysen dhe xhaxhai Halil ranë në burg, fati i fisit të tyre u paracaktua për të qenë i vështirë e me shumë vuajtje. Mustafa, baba, u internua duke kaluar sa në një kamp në një tjetër për 27 vite. Punonte gjithë ditën deri në mbrëmje dhe nuk merrte asnjë qindarkë, pasi ishin kampe izolimi dhe pune. E tërë djersa këmbehej me një copë bukë në kazanin e madh të gjellës pa shije të kampit. Në Savër të Lushnjës u njoh me nënën time, Aishen e cila vuante në kapet e internimit që në vitin 1946. Shkak për dënimin e saj qe bërë rreshtimi i fisit të Gjoçaj në anë të rezistencës kudër komunizmit. Vetë nëna ka marrë armën dhe ka luftuar. Pasi e kapën, qëndroi një vit në birucë dhe që andej e dëbuan në Tepelenë, Berat e së fundi në Lushnjë. Kur e dërguan në Lushnjë nëna u strehua në barakën e Pashke Sokolit nga Topoja, e cila ishte e internuar me fëmijët e saj, por pa asnjë mashkull të shtëpisë. Në të njëjtin kamp ishte edhe Rrok Konti, shoku babës i cili qe martuar me vajzën e Pashkes. Duke qenë se e njihte nënën time nga hyrjet e daljet tek Sokolët, u bë si ndërmjetës dhe e fejoi babën me Aishen. Ka qenë diku viti 1963. Nënën time kanë tentuar ta fejojnë disa herë në kamp, por ajo nuk pranonte. Nuk donte të lidhte kurorë me familje të dobëta, ndërsa ata që e shtynin për t’u martuar synonin pikërisht ta thyenin fisin e saj duke e martuar në një derë pa asnjë meritë patriotike. Unë u linda në internim dhe jam fëmijë i vetëm nga kurora e Mustafës me Aishen. Nëna bëri 45 vite internim, baba 27 të tjera ndërsa unë 26 vite. Së bashku, një shekull në kampet e ndërtuara për të depersonalizuar shqiptarët. Unë kam edhe një vëlla nga baba, quhet Ali Hasani. Për të mos pasur fatin tonë, baba e kaloi nën kujdestarinë e xhaxhait në Pistë dhe më pas të dajave të tij në Fushë-Arrës tek familja Bislim Bajram Ahmetaj. Ai mësoi shumë mirë dhe përfundoi mësuesinë në Shkodër, të mesmen e të lartën. Unë pata fatin të kryejë studimet e larta disa vite më vonë, vetëm pasi ra regjimi komunist. Sapo u liruam, në shtatorin e vitit 1991, baba më thotë se duhej të vazhdoja shkollën e lartë dhe kështu bëra duke mos humbur fare kohë.

Çfarë të ka mbetur në kujtesë nga vitet në internim?

Shumë gjëra. Edhe pse vitet ecin, asgjë nuk shlyhet, pasi kanë lënë gjurmë shumë të thella. Janë kujtime të hidhura, të mbushura me varfëri ekstreme, mjerim deri në uri, përçmim dhe ngjarje makabre. Kampet ishin të rrethuar me tela me gjemba. Në portën hyrëse kishte postbllok, roje me armë, njerëz të kriminalizuar, të gatshëm të shtinin me plumb në trupin e çdo të persekutuari. Njerëzit flinin në kapanone, burra e gra, pa dyer e pa dritare. Kur linda unë, prindërit jetonin në një dhomë 3m x 3m e ndërtuar me kallama dhe e mbuluar me katrama. Por prindërit, veç e veç, asokohe të panjohur mes tyre, kanë jetuar edhe në kampin e Tepelenës e Beratit. I them këto pasi prej tyre ruaj shumë kujtime. Të gjithë burrat e djemtë e fuqishëm në kampin e Tepelenës i detyruan të hapnin deri në 10 gropa të thella për të varrosur të internuarit që vdisnin çdo ditë më së shumti nga uria, por edhe nga sëmundjet që po bënin kërdinë në kamp si tifo, malaria etj. Baba më tregonte se kjo histori e detyrimit për të hapur gropa për varre zgjati shumë. Pasi kodra u mbush me të vdekur, burrat u detyruan përsëri të hapnin varre. Këtë herë në shtratin e lumit, në zhavorr me qëllim që të groposnin të vdekurit e kampit. Tepelena qe përfshirë në epideminë e urisë. Çdo ditë vdisnin shumë të internuar: fëmijë, gra, të moshuar. Kampi po shfarosej me shpejtësi. Një dimër, lumi u fry dhe të gjitha eshtrat i mori uji i rrëmbyeshëm. Në një rast tjetër nëna më tregonte se gjatë transportit me makinë për në kampin e internimit në Berat, ushtarët rrahën në mes të rrugës me qytë të armëve e me shqelma një tregtar të qytetit. I kishin gjetur flori të fshehur dhe ia morën duke e tërhequr edhe atë zvarrë nëpër rrugë. E rrahën deri sa vdiq. Ka edhe të vërteta të tjera të çuditshme. Në internim ishte edhe Nikollë Mërnaçi nga Vermoshi Shkodrës. Ai kishte bërë 10 vite burg pasi pjesëtarët e familjes, mes tyre edhe e ëma, qenë arratisur. Nëna tij rreth 90 vjeçe në Amerikë shkoi e votoi në zgjedhjet e radhës për presidentin. Një gazetë shkruan “Nëna shqiptare voton presidentin amerikan”. Menjëherë Sigurimi i Shtetit shqiptar i bën kontroll Nikollës në banesë në Vermosh dhe i gjejnë një Bibël dhe veprën e Fishtës “Lahuta e malcis”. E arrestojnë dhe e dënojnë me 10 vjet të tjera burg. Të dy librat u quajtën literaturë e ndaluar dhe armiqësore. Në kamp kishte edhe të papritura. Gruaja e moshuar Vocërr Sherifja bënte be në emër të gjakut të të vëllait që quhej Shpend Sherifaj duke thënë “për gjakun e Shpend Sherifit…”. Komanda e kampit të internimit mbledh disa fshatarë të blerë, komunistë, brigadierë, njerëz të vobektë, spiunë dhe sekretarin e partisë së bashku me kryetarin e këshillit dhe bëjnë takim në sallën e kampit. Ata kërkojnë t’ia mohojnë të motrës të betohet në emër të gjakut të të vëllait dhe kjo për arsyen se Sherifi ishte arratisur. “Pse betohesh në emër të armikut të popullit”,-e pyesin provokatorët të cilët më pas u bënë objekt jo vetëm i sharjeve dhe mallkimeve të Vocërr Sherifajt por edhe u goditën me grushte nga ajo.

Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me familjet brenda kampit?

Kishim lidhje dhe marrëdhënie shumë të mira me pjesën më të madhe të atyre që ishin nga familje nacionaliste. Atje jemi njohur e kemi lidhur miqësi të fortë me djalin e vajzat e Muharrem Bajraktarit, njerëz të Abaz Kupit, familjen Miraka, Rrok Kontin, Vëllezërit nga Vau i Spasit, Sadik, Avdi e Tahir Neza; Avdi Cahanin, djalin e Xhelal Straveckas, Haxhi Brahimin, Prelë Vatnikën, Azem Nezën, Gëzim Kullën, familjen Belishova, Rryshit e Hajri Mulleti, Kaloshtë, Dine Dinen, Peposhtë e Gjutët, familjen e Nikë Sokolit, Ndreallarët e të tjerë. Disa ishin familjarisht, të tjerë të ndarë, veç burrat e veç gratë me fëmijë. Flisnim pa frikën se dikush do të na raportonte. Rridhnin nga familje me taban të shëndoshë atdhetar dhe në biseda tema e parë dhe e fundit ishin pikërisht çështje të tilla. Aty tregoheshin histori të luftës me të huajt, për emra të figurave legjendare, për zakonet dhe traditat e zonave nga vinin. Në kampet e internimit kemi vuajtur si gjarpri nën gur, por nga ata tjetër unë e quaj veten me fat që munda të rri me ata burra dhe me ata njerëz që rridhni nga familje nacionaliste shqiptare. Shumë prej tyre qenë shkolluar në Perëndim. Ishin pa shpresë për jetën dhe të ardhmen por nuk jepeshin. Qëndronin të pathyeshëm, nuk ankoheshin për asgjë, nuk donin t’u jepnin shkas hetuesve dhe njerëzve të pushtetit komunist të gëzoheshin me dhembjen që na shkaktonin.

Problem për kategorinë e familjeve të internuara ka qenë arsimimi i fëmijëve. Si eci shkollimi juaj?

Arsimin 8-vjeçar e bëra në Savër, të mesmen në Lushnjë. Në klasën e pestë na erdhi mësues Ismail Turdiu, ish pedagog në Universitetin e Tiranës. Mbesa e tij, Silva Turdiu qe fejuar me të birin e kryeministrit të kohës, Mehmet Shehut, kështu që Turdiun e transferuan dhe dëbuan në Lushnjë, në shkollë 8-vjeçare. Më jepte lëndët matematikë, fizikë dhe gjeometri. Të gjithë ata që patën fatin të kishin mësues Ismail Turdiun u bënë me arsim dhe të zotë në jetë. Përfunduan shkollën e lartë dhe shërbejnë në disa sektorë. Në internim më ka dhënë mësim edhe Vangjel Prifti, lëndën biologji. Edhe ky qe mësues i zoti. Të gjitha lëndët i nxora me notë shumë të mirë, kurse lëndën e edukatës që ma jepte drejtori, Osman Kasapi, një burrë i lig e me vese, komunist e spiun i keq, më vlerësonte me 6 ose7. Jo se nuk e mësoja, por e ka shprehur shpesh e shpesh se ne, të internuarit, nuk mund të vlerësoheshim me notë të mirë. Në provimet e klasës së tetë, Turdiu ngulte këmbë që unë të vlerësohesha me notën 10, kurse Kasapi i thoshte komisionit që nuk mund të vihet notë e mirë për bijtë e armiqve të pushtetit. Infermiere e kampit ishte motra e Lenka Çukos, quhej Zoge Velia. Ajo më ndihmoi dhe ndërhyri të shkoja në shkollë të mesme në Lushnjë, ku edhe përfundova gjimnazin. Gjatë viteve të shkollës mbaj mend se nuk më lejonin të merrja pjesë në mbledhjet e organizatës së rinisë, pasi nuk kisha teserën e rinisë. Në raste të tilla, mësuesja më nxirrte jashtë. Nuk shkoja as në mbrëmjet e vallëzimit, pasi nuk doja të turpërohesha kur të më nxirrnin që andej pa dëshirë. Kujtimet janë të panumërta. Në një rast mbaj mend se shokët dhe mësuesit nisën të më pyesin se ç’lidhja kisha unë me Sinan Hasanin. Realisht unë u pata treguar se kisha të afërm në Kosovë, por Sinanin nuk e njihja. Një herë më erdhi në majë të hundës dhe u thashë shokëve se e kam njeri të afërt të fisit. Sinan Hasani, siç mësova më pas, kishte qenë partizan, i kapur rob nga gjermanët, i internuar në kampin nazist të Vjenës në Austri dhe, pas lirimit, bëri karrierë edhe në politikë duke shkuar deri në forumet drejtuese të Lidhjes Komuniste Jugosllave. Pohimi im u bëri përshtypje të gjithëve dhe nisën të më marrin në pyetje edhe mësues. Ndonëse isha tip që nuk bëhesha merak për fjalët e tyre, e kuptova se isha futur në rrugë të vështirë. Organizata e rinisë dhe këshilli i fshatit më mohuan edhe të drejtën për të lozur me të rinjtë e Lushnjës. Unë e kisha me shumë dëshirë sportin e futbollit dhe trajneri, pa më njohur biografinë, më dha çantën, bluzën, tutat e këpucët. Por nuk zgjati shumë. Një shoku im më erdhi e më tha se trajneri kërkonte t’ia ktheja rrobat sportive dhe të largohesha, pasi kishte bërë letër refuzimi këshilli i fshatit. Shkresa mbante firmën e kryetarit të fshatit Savër, Mihal Llazi, i cili shkruante se ne si familje ishim armiq të popullit.

Me përfundimin e shkollës së mesme ju nisët të punonit dhe më pas të kryeni shërbimin ushtarak…

Ishim të internuar dhe qemë të bindur se vetëm puna e rëndë na priste. Për 2-3 vite punova në fermën e Savrës së Lushnjës. Ishin disa kampe brenda Lushnjës si Savër, Plug, Gradishtë, Dushk, Çermë, Xhazë e Rrapëz. Na dërgonin një herë në një qendër brigade e një herë tjetër në qendrën tjetër, në punë të mundimshme. Ushtrinë e kam bërë në vitin 1985-87 në repartin e xhenios në Shelcan të Elbasanit, duke hapur tunele. Ishim të gjithë të persekutuar politikë dhe nuk kishte njeri mëshirë për ne. Unë kam përfunduar ushtrinë pa prekur armë me dorë. Nuk na besonin neve, vetëm kazmë e lopatë na jepnin. Ktheheshim nga puna të lodhur dhe me padurim prisnim një copë bukë. Kazanët e supës ishin të palarë dhe dy pëllëmbë me zhavorr të kuq. Aty zihej supa. Orizi e makaronat ishin plot miza dhe kakërdhi minjsh. Donim apo nuk donim, ky ishte ushqimi ynë. Aty, në repartin tonë, na erdhi një djalë rebel i një familjeje nga Shkodra, që kishte 11 komunistë brenda. E kishin sjellë për edukim. Një ditë ai i thotë një shoku të tij se do të arratisej. Shoku i tregon operativit të batalionit. Astrit e kishte emrin operativi, ishte nga Korça. Shkodranit i vihen pas në çdo hap që bënte. Së bashku me shokun, që e kishte shitur tek operativi, dalin me leje në qytetin e Elbasanit. Ata që e ndiqnin prisnin arratisjen, ndërsa shkodrani, sapo mësoi se ishte dekonspiruar, rend me vrap në një armë me misër. Teksa del në anën tjetër të parcelës, gjendet në rrugën automobilistike. Astriti e ndiqte nga pas. Ushtari nga Shkodra ecte e kthente kokën dhe, duke parë se e kishte të pamundur të shpëtonte, hidhet në gomat e një makine duke gjetur vdekjen.