Ai duket sikur diellin e ka mitin e tij, energjinë e të cilit e përdor për të krijuar vepra të mrekullueshme. Reflektimi i dritës i jep veprave të Helidonit një tjetër formë, një tjetër ngjyrë sa herë lëvizim rreth tyre. Eshtë ky burim drite që i jep atyre lëvizjen, zhdërvjelltësinë dhe muzikalitetin brenda një trupi të fortë e të ftohtë, siç është çeliku në vetvete

Helios është personifikimi i diellit në mitologji greke. Kështu që nga vetë emri Helio – Helidon ndihet energjia që duket sikur ka ngjizur këtë artist. Në fakt ai është një nga djemtë artistë të piktorit Sali Xhixha, që trashëgoi nga ai dashurinë dhe përkushtimin për artin, e në veçanti për skulpturën. 

Helidon Xhixha është një nga emrat më të njohur të skulpturës kontemporane në Itali, i cili po pushton jo vetëm mediat italiane, por edhe sheshet dhe zemrat e të gjithë koleksionistëve dhe artdashësve. Pas mbarimit të Liceut Artistik në Durrës, ai shpërngulet në Itali ku në vitin 1999, u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera, Milano. 
Me një gjetje tejet origjinale artisti shndërroi çelikun në një emulsion drite të lëngshëm, gati gati të brishtë. E gjithë vepra e Helidonit “buron prej dritës dhe buron dritë”. Ai duket sikur diellin e ka mitin e tij, energjinë e të cilit e përdor për të krijuar vepra të mrekullueshme. Reflektimi i dritës i jep veprave të Helidonit një tjetër formë, një tjetër ngjyrë sa herë lëvizim rreth tyre. Eshtë ky burim drite që i jep atyre lëvizjen, zhdërvjelltësinë dhe muzikalitetin brenda një trupi të fortë e të ftohtë, siç është çeliku në vetvete. Objektet e realitetit të jashtëm në kontekst paraqiten si vepra me vlera konceptuale. Instalimet hapësinore që drejtpërdrejt përfshijnë dimensionin e mjedisit, duke krijuar një peisazh tre-dimensional me objekte që janë në përkufizimin e gjerë “skulpturë bashkëkohore”.

E thënë me pak fjalë, në veprat e Helidonit nuk gjejmë vetëm një skulpturë ndryshe, të veçantë për nga materiali, forma dhe subjekti, por gjejmë një krijesë e cila është e gjallë brenda një “trupi arti” që luan me vetveten dhe mjedisin që e rrethon. Këto punë gjigande kanë padyshim një shpirt gjigand brenda tyre, të cilin e lind Helidoni. Duke e njohur nga afër artistin kupton që s’kishte se si të ndodhte ndryshe me të. Ai është një artist i lindur, por nga ana tjetër është dhe tejet ambicioz, për të plotësuar mozaikun e famës së tij me gjurmët që lë kudo ku shkon. Projektet e Helidonit janë gjithnjë e më të mëdha, gjithnjë e më konkrete dhe ai fiton çdo ditë më shumë prestigj në sytë e koleksionistëve dhe kritikës botërore për shkak të nivelit të lartë artistik të veprave, ndaj jo më kot njerëzit më të pasur të botës kërkojnë të kenë në koleksionet e tyre vepra të Helidonit. 

Mjafton të përmendim hotelet e Dubait në hollet e të cilëve janë vendosur punime të artistit, të tjera familje me zë kanë skulptura parku të tij. Kërkesa e tyre e ka shtyrë artistin të trajtojë skulpturën edhe brenda interierit si vepër arti funksionale, kuptohet “pezzo unico”, një vepër, unike.  Riva 1920 ka qenë mbështetëse dhe inkurajuese e skulptorit për përfshirjen e tij në “Le Briccole di Venezia” ku marrin pjesë vetëm një numër i kufizuar artistësh dhe arkitektësh shumë të famshëm botërorë. Prezantimi i projektit në Triennale e Milanos dhe Internazionale Salone del Mobile e përfshin Helidonin jo vetëm me një projekt, me një hapësirë ekspozimi, por edhe me atë që quhet “La porta del futuro” dera inoksi (pasqyrë..) që do të hapë prezantimin e ideve dhe projekteve më novative të artiti të arredimit, me punë unikale, origjinale nga artistë dhe arkitektët me të mirë të botës. 101.3 – është tavolina me bazë skulpture në çelik, e projektit “ Le briccole di Venezia” te Riva 1920 – druri është nga “briccolat” e famshme të Venezias (kolona ku ankorohen varkat dhe që po zevendësohen me të tjera, me materiale si betoni). Dhe një tjetër vepër që ndodhet brenda në “Muzeo del legno” Riva 1920 Cantù , VE.

Veprat e Helidonit i gjejmë nën termat: “dritë, energji, forcë”, pikërisht referuar këtyre zbulojmë elementët unikalë të veprave. Veç të tjerash artisti preferon të punojë vepra monumentale, ndër më të rëndësishmet është dhe ajo e vendosur në njërën prej hyrjeve të Pallatit të ri të Selisë së Rajonit Lombardia në Milano, në Janar 2012. Rajoni Lombardia zgjodhi pikërisht veprën në çelik inox, të titulluar RIFLESSI DAL CIELO  (Reflekse nga qielli) si simbol i artit bashkëkohor duke konfirmuar edhe njëherë ecjen e jashtëzakonshme artistike të Xhixhës dhe vlerat e artit të tij, për të cilin flet edhe Francesco Poli. Ndër veprat e para monumentale që startojnë famën e jashtëzakonshme në Itali dhe tërheq vemendjen e shtypit Italian ishte “Kali” i Ferrarit, por edhe më e rëndësishme mbetet projekti “Renaissance of Towers”, “Rilindja e Kullave”, kushtuar viktimave të 11 Shtatorit. Ai është një rresht i dyfishtë i çelikut vendosur në një hekur posaçërisht të ndryshkur “djegur” me tone të ngrohta dhe pjesa e poshtme e monumentit u krijua konceptualisht në afërsi të ngjarjes dramatike. Për monumentin 3000 kg, me lartësi 6.5 m. ka afruar tashmë faza e vendndosjes përfundimtare, që do të jetë në Nju Jork, pasi ka kaluar në të paktat “Kryeqytete Europiane të Kulturës” të tilla si: Venecia, Firence, Berlin, Milano dhe Como.

Momentalisht Helidon Xhixhën e gjejmë në Dubai, ku po organizon një projekt tjetër, një tjetër ditë në Francë e më pas në Milano. Duket sikur shkëlqimi i Helidonit është vetëm në fillimet e një “agimi” të ndritur, i cili është dukshëm i gjatë. Me forcën e karakterit dhe vitalitetin e tij ai si “Figlio D’arte” (bir i artit), ka gdhendur tashmë një emër të cilën do ta kthejë në dinastinë “XHIXHA”, duke trashëguar artin nga babai i tij tek e bija pesë vjeçare që është pikërisht në moshën kur Helidoni filloi të shfaqë talent, duke manifestuar një dhunti dhe dashuri të jashtëzakonshme për artin. Elektra është për të kryevepera e tij. Energjia që përcjell Helidoni është e tillë, elektrizuese, mrekullisht magnetike, gjithëpërfshirëse. 
Njësoj si vera, njësoj si materiali që ai përdor, njësoj si drita për të cilën thotë: “Unë nuk e gdhend materialin, por materialet i përdor për të gdhendur dritë”. 

A gdhendet drita?! A është e mundur kjo?!.. Për Helidonin “PO”