Një numër i konsiderueshëm fëmijësh të një kopshti publik në qytetin e Gramshit u shtruan në spital me simptoma të rënda të helmimit ushqimor gjatë javës që po mbyllet.
Dyshimet e para të mjekëve dhe prindërve janë se kjo ka ndodhur nga salmonela, një bakter ky mjaft i rrezikshëm që zakonisht përhapet përmes ushqimit të kontaminuar ose higjienës së dobët.
Ndërsa fëmijët “luftuan” për disa ditë me ethe, të vjella dhe diarre të forta, institucionet përkatëse ,nga drejtoria e kopshtit, tek autoritetet shëndetësore dhe ato vendore kanë ofruar pak ose aspak informacion.
Transparenca është zëvendësuar nga heshtja, dhe mungesa e përgjegjësisë po shndërrohet në një shqetësim serioz publik.
Ngjarja ka ndodhur të martën, kur disa prindër raportuan se fëmijët e tyre ishin kthyer nga kopshti me temperaturë të lartë dhe shqetësime gastrointestinale. Brenda 24 orëve, të paktën 12 fëmijë u paraqitën në spitalin e Gramshit , ndërsa disa prej tyre u mbajtën nën kujdes intensiv pediatrik për shkak të dehidratimit të theksuar.
Burime brenda spitalit thonë se simptomat janë të ngjashme me helmimin nga salmonela, por analizat laboratorike të plota janë ende në proces.