Shoqata e të verbërve në Durrës ka ngritur një sërë shqetësimesh të cilat kanë të bëjnë me rëndimin e gjendjes së tyre ekonomike për shkak të heqjes së disa të drejtave, si pasojë e ndryshimit të ligjit “Për statusin e të Verbërve”, ndryshime që u miratuan në muajin mars të këtij viti. Nëse më parë kësaj kategorie i mundësohej kompensimi i faturës së energjisë elektrike, impulseve të shërbimit telefonik dhe lëvizja falas me mjetjet e transportit urban, heqja e këtyre subvensioneve shtetërore ka ndikuar mjaft në cilësinë e jetës së kësaj kategorie.

Shoqata

Në Durrës numri i të verbërve ka ardhur gjithë duke u rritur. Drejtues të shoqatës pohojnë se krahas ardhjes së të verbërve të rinj nga rrethet e ndryshme të vendit për të banuar në Durrës, ka edhe shtim të rasteve me të verbër. Agim Rama, nënkryetari i shoqatës thotë se shoqata ushtron aktivitet të rregullt dhe anëtarët e saj janë të gjithë të kartelizuar.

Sipas tij në Durrës janë të anëtarësuar 450 persona të kartelizuar si të verbër. Më shumë se gjysma e tyre janë të grupit të parë dhe detyrimisht lëvizin me shoqërues. Në këtë shoqatë bëjnë pjesë edhe të verbër nga Shijaku, Sukthi, Manza dhe komunat e tjera. Në të përfshihen të gjitha moshat, nga fëmijë deri tek të moshuar, të ndarë në të verbër të grupit të parë dhe të verbër të grupit të dytë.

Kategoria e personave që kanë humbur plotësisht shikimin sot marrin 10.600 lekë në muaj dhe po aq edhe shoqëruesi i tyre. Nënkryetari i shoqatës Agim Rama ka theksuar se deri në muajin shkurt kanë përfituar edhe kompensim të energjisë elektrike, impulse telefoni me çmim favorizues dhe lëvizje e qarkullim me urban falas në saj të kartelës.

Problemet

Shoqata e krijuar në vitin 1991 ka apeluar herë pas herë gjithandej për të rikthyer të drejtat e mohuara. “Sot ne si të verbër marrim vetëm rrogën e asgjë tjetër nga shteti”,- thotë Rama. Pikërisht për shkak të kushteve tepër të vështira të jetesës të verbërit janë organizuar në disa tubime. “Bëmë pesë demostrata në Tiranë dhe u mblodhëm nga e gjithë Shqipëria, por nuk fituam asgjë. Qeveria na ndëshkoi, na hoqi shërbimet”,- tha Rama.

Herë pas herë shoqata ia ka dërguar ankesat e saj qeverisë, pushtetit lokal dhe institucioneve të ndryshme shtetërore, por nuk ka marrë përgjigje pozitive në asnjë rast. Vetëm Misioni pa kufi ka afruar ndihmë për të verbërit, ndihmë që i shkon shoqatës një herë në vit. “Ata na sjellin një pako me nga një kilogram miell, sheqer, vaj, makarona”,- shprehet nënkryetari i shoqatës së të verbërve. Agim Rama thekson se edhe kjo ndihmë, për të cilën shprehet se u është mirënjohës drejtuesve të këtij misioni, nuk afrohet për të gjithë. Pako marrin vetëm 100 anëtarë nga 450 të tilla që ka shoqata dhe kjo për arsye se dhuruesi nuk ka më shumë mundësi.

Vet shoqata është përpjekur më pas të ketë një listë të rregullt për këtë rast duke mbajtur shënim që dikush ta marrë këtë vit e të tjerë në vitet pasardhëse. Ajo që ka shkaktuar pakënaqësi dhe revoltim tek ata ka të bëjë me heqjen e kompensimit të faturës së dritave, mosnjohjen e kartës së të verbërit nga shërbimi urban dhe heqjen e të drejtës për të pasur shërbim telefonik me tarifa të favorshme. Të verbërit sot përballen edhe me pamundësinë për të qarkulluar.

Atyre nuk u njihet më e drejta që i jepte më parë karta e të verbërit për lëvizje falas në linjat urbane dhe interurbane. Kjo kategori shoqërore e vënë në vështirësi të mëdha ekonomike detyrohet të paguajë jo vetëm biletë për linjat jashtëqytetëse, apo në tren, por edhe biletën për linjat urbane të Durrësit.

“Fatorinot e autobusave dhe trenave nuk e njohin më kartën e të verbërit”,- shprehet Rama. Parlamenti ka shfuqizuar në muajin mars ligjin që u jepte ato pak favore personave që janë të verbër dhe reagimet e shoqatës kanë qenë të paefektshme. Shoqata është ankuar si dhe ka dalë në tubime paqësore me mendimin se do të fitojë të drejtat e mohuara, por nuk ka ndodhur kështu. Sipas nënkryetarit të shoqatës në Durrës, qeveria u ka thënë atyre se ndryshimi i ligjit është bërë ngaqë shteti nuk ka lekë për t’u dhënë. Në të njëjtën formë dhe për të njëjtat arsye janë privuar edhe anëtarët e shoqatës së personave me aftësi të kufizuar duke shtuar jo vetëm pakënaqësitë, por edhe hallet e njëpasnjëshme ekonomike të tyre.