Një 53-vjeçar nga Tirana ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohet për kontrabandë cigaresh.

Mësohet se më kuadër të operacionit ‘Hide’ u arrestua shtetasi me inicialet L. H., banues në Tiranë.

NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Hide”. Vihet në pranga 1 shtetas që tregtonte paketa me cigare të kontrabanduara dhe fshihte të ardhurat e përfituara nga subjekti i tij tregtar.

Sekuestrohen rreth 150 steka me cigare të llojeve të ndryshme, 1 automjet dhe 1 aparat celular.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nëpërmjet inteligjencës informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Hide”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. H., 53 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në dyqanin dhe në automjetin e shtetasit L. H., në rrugën “Hamdi Pepo”, shërbimet e Policisë gjetën rreth 150 steka me paketa me cigare, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe aparatin celular të këtij shtetasi. Nga verifikimet ka rezultuar se ky shtetas fshihte të ardhurat e përfituara nga tregtimi i mallrave dhe produkteve, në dyqanin e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.