20 nëntor 2015 – Rreth 4 vite më parë ajo po përpiqej të linte drogën, duke u trajtuar në një nga qendrat e kryeqytetit përmes terapisë mbajtëse me metadon. Sot është një prej 26 të arrestuarve si pjesë e bandës së shpërndarjes së heroinës dhe kokainës në vend.
Sonila Dinoshi ishte 17 vjeçe kur u përfshi për herë të parë në trafikun e drogës, sepse donte të shpëtonte nënën e saj të sëmurë, e pasi vuajti dënimin prej 3 vite e gjysmë burg, donte të largohej nga kjo rrugë. Një dëshmi që tregon se si ky sistem nuk ndihmon aspak njerëzit që duan të lënë drogën, e nga ana tjetër, s’bëjnë asgjë për rehabilitimin e tyre pas daljes nga burgu, duke i ekspozuar drejt së njëjtës rrugë.
Në janar të vitit 2012, në një intervistë për GSH, Sonila rrëfeu gjithçka se si ishte detyruar të shiste drogë për të shpëtuar nënën e saj të prekur nga kanceri.
Historia e vajzës, nënë e një fëmije të braktisur nga i shoqi.
Rrëfimi
Ishte vetëm 17 vjeçe kur mori vesh se nëna e saj ishte e sëmurë me kancer. Mes jetës në varfëri vendos të kërkojë punë për të përballuar sadopak shpenzimet për kurimin e njeriut më të shtrenjtë për të. Por realiteti i hidhur e përplasi për katër herë radhazi me pronarë biznesesh të etur për të bërë pronë të vetën edhe vajzën e mitur. E edukuar me frymën se një femër nuk mund të shesë trupin e vet, në çfarëdo vështirësie që të ndodhet, Soni D. vendos të merret me shitjen e drogës, duke e parë si të vetmen alternativë që mund ta nxirrte familjen e saj nga hendeku ku ishte fundosur.
“Arrita të shisja drogë për dy vjet rresht. Atëherë u transformova.Nga një vajzë me një trup shumë të bukur, që mund të vishej bukur e të ekspozohej, fillova të vishesha si çun, sepse, duke marrë parasysh punën që po bëja, të mos i lija asnjë njeriu përshtypjen se unë isha një vajzë e lehtë për t’u përdorur”, rrëfen 26-vjeçarja, duke ndezur një cigare.
“E bëja vetëm për mamin. Të paktën ato që i kishin munguar gjatë gjithë viteve t’i kishte në ato pak ditë jetë që i kishin ngelur. U mundova të mos i mungonte asgjë, dhe thjesht nga ilaçet që i bleva arriti të mbijetonte edhe 10 muaj të tjerë”, thotë Soni dhe sytë i mbushen me lot, ndërkohë që zëri fillon t’i dridhet.
Ajo flet qetë, ngadalë, me një zë të ulët e të ëmbël. E veshur në tuta sportive dhe atlete, me një kordele te koka, Soni ngjan me një fëmijë të pafajshëm e të papërballur ndonjëherë me sfidat e jetës, por është krejtësisht e kundërta.
“Kur fillova të shisja drogë, fillova edhe të pija. Kur e kam parë mamin tim pas operacionit, u shokova dhe nuk dua ta kujtoj tani. Atëherë kam pirë për herë të parë. Kam pirë shtatë muaj rresht, e lashë, u kurova me metadon më pak se një vit. Kur dola nga burgu e fillova prapë, por u bëra pishman shumë shpejt. E kuptova që ishte diçka që nuk ia vlente të vazhdohej më tej…”
Burgu
Duke ditur që nënës i ngeleshin edhe pak kohë nga vdekja, vajza vendos të shkëputet nga shitja e drogës, por nuk mundi t’i shpëtonte dot policisë. “Mami vdiq më 5 tetor, unë jam arrestuar në 15 tetor, vetëm 10 ditë pas vdekjes së saj. U dënova 7 vjet e gjysmë, ndërkohë që kisha 1 muaj që isha shkëputur nga shitja e drogës dhe ditën që më kanë kapur rastisa në kohën e gabuar, në vendin e gabuar”, rrëfen Soni. Ishte nisur për te varri i së ëmës, por nuk mbërriti kurrë atje. Rruga iu ndërpre nga “spiunët e policë”, siç i quan ajo, dhe që pas kësaj do të qëndronte për 3 vjet e gjysmë në burg për të vuajtur dënimin e saj. “Kur rashë në burg, nuk kishte kaluar shumë kohë nga vdekja e mamit dhe ende nuk isha mësuar me idenë që mami kishte vdekur. Kur u ktheva në shtëpi, e gjej shtëpinë të mbushur me fotografitë e mamit, gjë që nuk më bëri mirë. Familjarët e mi ndoshta menduan që do ta ngrohnin shtëpinë po të ishte ashtu, por unë u shokova shumë. Mund të them që ishte një traumë e tretë për mua: e para ishte vdekja e mamit, e dyta ishte futja në burg, që ishte asgjë para vdekjes së mamit, dhe kjo e treta, që nuk po përjetoja dot mirë as daljen nga burgu”, vazhdon rrëfimin.
Vjen në jetë një fëmijë
Pavarësisht gjithçkaje, ajo sërish i gjeti forcat te vetja për të vazhduar përpara dhe jeta e deshi që të takohej dhe të dashurohej me një djalë. Vetëm pak kohë pas njohjes, Soni ngelet shtatzënë, duke e konsideruar fëmijën që mbante brenda saj një dhuratë që po i bënte e pamëshirshmja jetë. Por, babai i fëmijës nuk deshi kurrë ta ketë një të tillë, duke e detyruar që të mos e mbajë fëmijën. Në luftë me drogën, tani Soni është duke rritur e vetme djalin e saj katër muajsh, të cilin e quan dritën e syve të saj./GSH