6dhjetor 2015 – Në Tufinë në një nga lagjet periferike ku mbizotërojnë vilat disa katëshe jeton në një shtëpi pa dyer, pa çati dhe me shumë lagështirë.

Valbona Zela ka humbur të shoqin këtë vit dhe ka mbetur e vetme në përpjekje për të rritur 9 fëmijë. Vetëm vajza e madhe është 23 vjeçe, ndërsa të tjerët janë të mitur. E madhja ka filluar punë si kamariere me një pagë 15 mijë lekë në muaj. 42 vjeçarja thotë se e ka të vështirë të jetojë vetëm më këto të ardhura të pakta. “U bënë 15 vjet që jetoj këtu. Në fillim jetoja në një barake pastaj këtu. Kam mbledhur tulla për të bërë këtë vend sa për të futur kokën. Të gjitha orenditë i kam të falura”, tregon Valbona.

Ndihma ekonomike që merrte familja është ndërprerë në muajin nëntor pasi është punësuar vajza. Sipas ligjit, nga ndihma ekonomike përjashtohen automatikisht familjet nëse punon një anëtar i tyre.

Sikur të mos mjaftonte varfëria dhe numri i madh i fëmijëve, djali i paralizuar e rëndojnë edhe më shumë gjendjen e familjes. Ai përfiton pagesën e paaftësisë, por kostoja e kurimit të sëmundjes së tij është e papërballueshme.

Valbona është e dëshpëruar por jo e dorëzuar. I kalon ditët me shpresë se dikush mund të bëj diçka për të. Së pari shteti, përmes ministrisë së Mirëqenies Sociale duke e rifutur në skemën e ndihmës ekonomike për të plotësuar nevojat për ushqim të të miturve, por edhe individë dhe shoqata që ndihmojnë raste të tilla, kur fati dhe fatkeqësitë bashkëjetojnë në një strehë. /Ora News/