11 gusht 2015 – Akademia e futbollit “Teuta” tashmë do të drejtohet nga një emër mjaft i njohur në futbollin shqiptar, Hito Hitaj, i cili zëvendëson në këtë detyrë Ilir Biturkun i larguar drejt klubit kuvajtian Al Jahra si pjesë e stafit teknik të kësaj skuadre së bashku me ish-trajnerin e kombëtares U – 21 të Shqipërisë, Skënder Gega.

Eksperienca mjaft e madhe e Hito Hitajt si specialist futbolli dhe si drejtues do t’i vlejë së tepërmi Akademisë “Teuta”. Karrierën si trajner, Hito Hitaj e ka nisur te Luftëtari i Gjirokastrës, ku më pas ka vijuar tek ekipet tona kombëtare si pjesë e stafit teknik në ekipin olimpik kombëtar, kombëtaren U – 21 dhe kombëtaren e madhe. Prej mëse 19 vjetësh ka mbajtur disa detyra të rëndësishmë në FSHF si drejtor teknik, shef i sektorit të garave dhe së fundi instruktor në shkollën e trajnerëve, zotëron licensën maksimale në trajnim “Uefa pro”.

Për "Dyrrah"-un, Hito Hitaj flet për punën e nisur në Akademinë “Teuta” dhe objektivat që kërkon të arrijë në krye të kësaj akademie.

Profesor Hitaj, keni disa ditë që jeni në krye të Akademisë së futbollit “Teuta”. Nga e keni nisur punën tuaj si drejtues i kësaj akademie?

Së pari identifikova gjendjen e akademisë, stafin teknik të saj dhe mbi këtë bazë po përmirësojmë anën dokumentare të punës sonë. Konstatoj se është bërë realisht një punë e mirë, dhe është detyra jonë si drejtues që këtë punë të nisur ne ta çojmë akoma më përpara në të mirë të futbollit durrsak.

Cilat janë disa prej objektivave kryesore që kërkoni të arrini si drejtues i kësaj akademie ?

Objektiv kryesor mbetet përmirësimi i punës në të gjitha hallkat e akademisë e reflektuar kjo në përmirësimin e metodologjisë së stërvitjes, hartimin e një programi bashkëkohor dhe ndjekjen e zbatimit të tij në terren nga ana e trajnerëve. Kërkojmë arritjen e një raporti të drejtë partneriteti në grup, midis drejtuesve, administratorëve të akademisë, trajnerëve, futbollistëve dhe prindërve.

Për sa thashë më lart futen tek objektivat tona afatshkurtra, pasi ne kemi dhe objektiva afatmesme për të arritur ku mund të përmend disa prej tyre siç janë përmirësimi i infrastrukturës sportive, përmirësimi i teknologjisë për zhvillimin e mësim-stërvitjes me metodat e reja, kartelizimin e plotë të të gjithë futbollistëve nga më të vegjlit deri te më të rriturit, rritja e numrit të testimeve për çdo grupmoshë, botimin e një broshure ku të pasqyrohen të gjitha elementet metodologjike të punës.

Gjithashtu në këtë fashë objektivash do të bëjmë të gjitha përpjekjet për binjakëzimin e akademisë sonë me akademi të ngjashme nga vende me futboll më të zhvilluar se ne.   

Aktualisht sa ekipe ka akademia “Teuta” dhe grupmosha e fëmijëve që stërviten këtu?

Aktualisht kemi 12 ekipe ku përgatiten fëmijë nga grupmosha më e vogël 7 vjeç deri te grupmosha më e madhe 19 vjeç. Por njëkohësisht pjesë e akademisë “Teuta” është dhe ekipi i të rriturve “Teuta B” që merr pjesë në kampionatin kombëtar të kategorisë së dytë si dhe ekipi i futbollit të femrave që aktualisht përbëhet nga vajza të reja.  

Ç’mund të na thoni për nivelin e trajnerëve që punojnë aktualisht në këtë akademi?

Sa i takon nivelit profesional të trajnerëve, mund të them se është i pranueshëm.

Dhe së fundi profesor, aktualisht në Shqipëri janë ngritur dhe funksionojnë disa akademi. Si e shikoni ju ngritjen e këtyre akademive?

Krijimi i akademive nuk duhet të lihet vetëm në dëshirën e një klubi apo rajoni të vogël, por duhet ta marrë Federata në dorë licensimin e këtyre akademive në kuptimin e plotësimit të disa kritereve bazë, pa të cilat një akademi nuk mund të funksionojë normalisht.

Intervistoi Monad Fama

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/