Gjykata e Beratit ka dhënë sot masat e sigurisë për tre të arrestuarit e dyshuar se hodhën në treg 21 tonë mandarina të ndaluara për shitje në treg të kthyera nga Kroacia.
Në përfundim të seancës, për grumbulluesin Arben Dyli, fermerin Elton Tafa dhe për inspektorin e shtetit Elson Tahiraj, është dhënë masa e sigurisë “arrestit me burg”.
Seanca u gjykua nga gjyqtar i çështjes Ilirjan Hysa dhe prokurore Malvina Pëllumbi.
Gjatë seancës avokatët mbrojtës i quajtën të arrestuarit viktima të luftës tregtare të konkurrencës me qëllim dëmtimin e tregtarëve vendas. Avokati mbrojtës i Arben Dylit hodhi dyshime mbi vërtetësinë e analizave të shtetit kroat.
Ndërsa në fjalën e tij eksportuesi Arben Dyli u shpreh se nuk ishte në dijeni se duhej njoftuar AKU pasi iu kthye produkti, por njoftoi fermerët, një nga Goriçani dhe një nga Saranda, për të marrë mbrapsht produktin e mandarinës.