Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Teksas, ku një 38-vjeçar ka vrarë me armë zjarri pesë nga fqinjët e tij pas një debati, mes tyre edhe një fëmijë 8 vjeç.

Të shtënat ndodhën të premten në mbrëmje në qytetin e vogël të Cleveland, San Jacinto County, në veri të Hjustonit.

Hetuesit besojnë se viktimat i kishin kërkuar zotit Oropez, i cili mendohet se kishte qenë duke pirë, të ndalonte zhurmën teksa po përpiqeshin të vinin në gjumë një fëmijë.

Sipas Sherifit, burri u përgjigj: “Unë do të qëlloj në oborrin tim përpara, do të bëj çfarë të dua në rezidencën time”.

Pasi të dyja palët u kthyen në shtëpitë e tyre, personi i armatosur filloi të qëllonte drejt viktimave, tha Sherif Capers.

Sherif Capers një stacioni lokal KTRK tha se të gjitha viktimat ishin qëlluar “nga qafa lart, pothuajse në stilin e ekzekutimit, kryesisht në kokë”.

I dyshuari, që besohet të jetë meksikan, është quajtur Francisco Oropez, 38 vjeç. Ai është ende në arrati dhe mendohet se është i armatosur. Policia është në ndekje të tij , i cili besohet se fshihet në një pyll aty pranë.

Gjithsej 10 persona ndodheshin në pronë në atë moment. Të rriturit u deklaruan të vdekur në vendngjarje, ndërsa tetëvjeçari ndërroi jetë në spital.

Personi i armatosur besohet të ketë përdorur një pushkë gjysmë automatike AR-15.

Incidenti erdhi disa ditë pasi nëntë persona u plagosën në një të shtëna gjatë një feste adoleshentësh në Teksasin perëndimor.

Incidentet me armë zjarri janë shkaku kryesor i vdekjeve për fëmijët dhe adoleshentët amerikanë, sipas Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.