Kuvendi i ka ndërprerë Sali Berishës përfitimet financiare që i takon çdo deputeti, përfshi edhe pagën, pasi ish-kryeministri nuk ka marrë pjesë në asnjë prej seancave plenare, mbledhjet e Komisioneve Parlamentare apo çdo veprimtari tjetër që lidhet me të si ligjvënës. Vendimi për ndërprerjen e pagesave ka lidhje me vendimin e GJKKO-së.

 “Referuar statusit të deputetët dhe vendimi nr. 114/2014 “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”, të ndryshuar deputeti Sali Berisha nuk i paguhen përfitimet si karburanti dhe telefoni për shkak të masës së sigurimit personal të vendosur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim nr. 520 datë 30.12.2023”.

Berisha ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit, ditë kur gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka, firmosi vendimin që ndaj ish-Kryeministrit të aplikohej masa e “arrestit të shtëpisë”, ndërkohë që më parë ai kishte kundërshtuar ashpër dy nga masat që i kishte vendosur SPAK, detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë vendit.

Ish-Kryeministri nëse nuk arrin të marrë pjesë në seancat e mbetura deri në 11 qershor, ai plotëson kohën e plotë të mungesës në Kuvend, çka do të thotë se për të nis procedura e humbjes së mandatit të deputetit.