U kap duke transportuar dy emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga një person.

Mësohet se i riu nga Korça iu kishte premtuar klandestinëve kalimin drejt vendeve të BE-së.

NJOFTIMI I POLICISË

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me strukturat e SHÇBA-Korçë dhe Policinë Kufitare në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. D., 24 vjeç, banues në Korçë.

Shërbimet e policisë kanë kapur në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Libonikut”, në Maliq, shtetasin e mësipërm, duke transportuar me mjetin tip “Renault” dy emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.