Një i ri nga Tirana humbi jetën në ujërat termale të Elbasanit. Alban Pashollari u gjet pranë një rezervuari të mbushur me ujë, ndërsa policia tha se shkak ishte ataku kardiak.

Dy qytetarë që ishin në hotel u bënë dëshmitar të ngjarjes, ndërsa treguan se kishin dëgjuar britma që vinin nga jashtë.

“Dëgjuam britma jashtë gjatë kohës që ishim në gjumë. Kur u ngritëm, dolëm dhe pamë që një i ri ishte në gjendje asfiksie te njëra nga vaskat.”, thanë dëshmitarët, raporton News24.

Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë mbrëmjes së djeshme, ndërkohë që Pashollari u gjet pranë një rezervuari të mbushur me ujë termal në gjendje të rëndë shëndetësore. I riu, banues në Tiranë, ka humbur jetën gjatë transportimit me autoambulancë, për në spital.

Mësohet se viktima bashkë me shokun e tij nuk ishin klientë në hotelin ku ndodhi ngjarja. Ata ishin futur në mbrëmje të dy në pishinën e madhe të hotelit dhe më pas 34-vjeçari kishte hyrë në pishinën e vogël.

Dyshohet se dy të rinjtë kanë qenë nën efektin e alkoolit kur janë futur në pishinat me ujë termale, duke sjellë edhe tragjedinë e rëndë.