Nga BUJAR QESJA

Iliaz Elezi. I lindur në Gjakovë me 1 shkurt 1930. I ngacmuar fort nga sistemi i Hoxhës, por i paepur. Ngacmues në bindjet për t’ia dalë. Një pasion i ushqyer bollshëm nga ADN-ja e tij. I paplakur dhe i pafjalë. Jeta e tij sportive, është një kënaqësi që nxit përkushtimin publiçistik. Është në një finale të skajshme të jetës dhe kërkon një rreze shprese për rizgjimin e emrit.

Në mënyrë të koncentruar, tentoj ta bëj unë një gjë të tillë. As më vete mëndja të formuloj kritika, aq më pak të qahem në ndonjë derë, për mos vlerësimin e punës së jashtëzakonshme të gjakovarit të atletikës durrsake. Edhe në këtë rast po bëj punën time të njohur, pa dashur të sfumoj pozicionin e askujt.

Një burrë i thinjur 91 vjeçar, ecën për çdo ditë në rrugët e qytetit me një hap që do ta kishin zili edhe të rinjtë. Shëndeti i tij, përveç pamjes së jashtme le të kuptojë se ky njeri në jetë mbetet shumë i obliguar. Energjik dhe potent, por mbi të gjitha shumë i respektueshëm. Të përshëndet me shumë përulësi, a thua se është i detyruar ta bëjë këtë gjë.

Nuk harron të të përmënd, që në punën e tij, në arritjet e tij, në gjurmët që la, kanë meritë dhe tre emra të famshëm të sportit të Durrësit: BASHKIM TAGA, SHEFQET FERRI dhe IDRIZ ÇINARI.

Ndiqni me vëmëndje lexues i nderuar, se çfarë meritash të pakundërshtueshme ka ky njeri, kur vendos të botosh të dhëna të panjohura më parë. Tentojmë të evidentojmë disa syresh. Në raporte ekipore, trajneri Iljaz Elezi është vlerësuar 15 herë kampion në kroset kombëtare, 13 herë në maratonë, 4 herë në gjysëm maratonë, 2 herë në Kupë Republikë.

Nga mosha 10 deri në 19 vjeçare, atletika durrsake nga puna dhe mëndja e Iljaz Elezit ka merituar 24 herë tituj kampionë në garat e mesme. Edhe me individët, krenaria e Iljaz Elezit është e ligjshme. Janë stërvitur prej tij 750 atletë, nga të cilat është gatuar edhe elita. Brumi i Iljaz Elezit është histori e gjallë e atletikës shqiptare dhe mburrje për atletikën durrsake. Shifrat shfaqen të gjithëpushtetshme. Puna e Iljaz Elezit ka “prodhuar” 50 kampionë, që kanë përmirësuar 21 rekorde kombëtare.

Veç kësaj janë grumbulluar me ekipet kombëtare 21 atletë, duke përfaqësuar Shqipërinë jashtë dhe brenda kufijve 10 atletë. Mbajnë si gjënë më të shtrenjtë të karrierës së tyre titullin mjeshtër i sportit 10 atletë, ndërsa mjeshtër i merituar dy. Ata janë rekordmenët Isuf Curri dhe Shefik Dervishi.

Madje, të shpjegon Iliazi, rekordet e Isuf Currit në 1500, 5000 dhe 10000 metra janë ende në fuqi. Por ky njeri i madh i atletikës durrsake, me dimensione edhe kombëtare është kthyer si një shkollë në aftësimin e trajnerëve të atletikës.

Janë 17 trajnerë të niveleve të ndryshme, që e lidhën karrierën e tyre me atletikën. Emrat e Aleks Lekës, Halit Dapit, Eqerem Bylykbashit, Rrahman Morina, Eduart Salillari, Frederik Gjergos, Andrea Stasit, Musa Musait, Kujtim Majanit, Jorgji Miles etj. mbeten matësi më i mirë i asaj gjëje të vyer dhe të çmuar që i dha sportit durrsak, gjakovari Iljaz Elezi.

Në spartakiadën e tretë kombëtare të vitit 1974, ishte atletika e Iljaz Elezit që i dha vendin e parë Durrësit, padrejtësia e konfirmimit të së cilës mbetet nga njollat më të errta të sportit shqiptar.

Absolutisht duhet kuptuar si privilegj. Monizmi ishte monizëm. I shikonte gjërat gri dhe Iliaz Elezi ndonëse i të tillave dimensione, punonte 16 orë në punë dhe sport, nuk i njihej asnjë e drejtë, madje të mos i aprovonin qoftë edhe një vlerësim minimal. Të jem i sinqertë me lexuesit, në bisedën disa orësh që zhvillova me të as nuk m’u kërkua një gjë e tillë.

Por ky njeri mbetet shembull i pasionit dhe këmbënguljes së tij. Nuk u thye dhe as kishte ndërmend të thyhej. Megjithëse edhe në ndërmarrjen e OMRM-së, i zbuloi futbollit durrsak talente të tilla si Mile Qoshja, Orest Grami, Nikolla Çeta, Zyhdi Daja, Nikolla Bespalla, çiklizmit Met Mustën, Lutfi Zinën, Nuredin Bllakën, basketbollit Koç Papain dhe Gani Dulen, etj. etj. ai nuk kërkon të marrë merita.

Por ai në fakt këto i ka. Është detyrë e shoqërisë civile, e Bashkisë së Durrësit dhe shoqatës me të njëjtin emër, e klubit shumësportesh “Teuta”, që këtë punë gjigande të bërë nga Iliaz Elezi me sportin durrsak, të japë vlerësime sado modeste të jenë ato.

Vetëm kështu mund të qetësohen shpirtrat e trazuara jo vetëm të opinionit objektiv, sportiv dhe të ndjeshëm durrsak, por edhe të atyre dhjetëra e dhjetëra atletëve dhe trajnerëve, që dolën dhe u përgatitën nga shkolla me emrin tashmë nderues Iliaz Elezi.