Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me një kërkesë lidhur me mënyrën e trajtimit të tij si i paraburgosur gjatë seancave gjyqësore.
Në parashtrimet e mbrojtjes, pretendohet se mënyra e vendosjes së Metës në sallën e gjyqit përbën shkelje të nenit 3 dhe nenit 30 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke cenuar prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për një mbrojtje efektive.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, deklaroi se kërkesa synon që Meta të qëndrojë pranë mbrojtësit të tij gjatë gjithë procesit gjyqësor, me qëllim garantimin e një gjykimi të drejtë dhe barazisë së palëve.
Sipas tij, mbajtja e të pandehurit në “kafaz me xhama” gjatë seancave është diskriminuese dhe paragjykuese, duke e bërë të vështirë komunikimin konfidencial mes të akuzuarit dhe avokatit.
Kjo është kërkesa e dytë në GJKKO për këtë çështje dhe vjen në një kohë që në 27 prill nis gjyqi në themel në Gjykatën e Posaçme, për dosjen e Ilir Metës, pjesë e së cilës janë edhe të pandehur të tjerë.





