Nga BUJAR QESJA

E dielë. Dita e katër tetorit 2020, ishte që në mëngjes e frikshme. Një mugëtirë, me një ajër të nxehtë, po ia merrte frymën qytetit. Dielli i nxehtë kishte vendosur të përvëlonte retë, duke iu fshehur pamjes së zakonshme. E një natë jo e qetë, e një ditë me sakëlldi sikur e ndjenin se pas pak do të na kërcënonte një dhimbje. Do të na binte në kokë, si një çekan i rëndë një lajm me një peshë që nuk mbahet lehtë. Dhe kjo peshë e rëndë, iu turr egër dhe ashpër qetësisë tonë të momentit, teksa përgatiteshin ti drejtoheshim familjeve në mbarim të pjesës së parë të ditës.

Ishte miku im i mirë Tristan Sherifi, që nëpërmjet inbox më shkruante shkurt, një lajm që as nuk mund ta mendoja se do të ndodhte e jo më të përgatitesha, për ti thënë vetes: Mbahu eh burrë! Cila ishte fjalia, që nga ai çast më ka tronditur të tërin dhe nuk dihet se kur mund ti kthehem qetësisë që kisha?

-Bujar, Gjergj Vlashi na la!

92 vite nuk janë pak, por as shumë kur shikoje që Gjergj Vlashi me 18 shtator 2020, siç pohon edhe miku im, kompozitori i njohur Ylli Ramzoti, Gjergj Vlashi po ndiqte në një nga llozhat e teatrit “A. Moisiu”, përgatitjet e konkurimit të këngës napolitane. As kishte ndërmënd ky Gjergj, të tërhiqej nga jeta e tij e preferuar dhe ëndërruese e artit. Pa vitet atë punë kanë, të ecin si akrepat e një sahati, ku herë ti dëgjohen trokitjet e herë jo. Por trokitjet e pasionit asnjëherë të vyshkur të kolosit të letrave, sigurisht që nuk do të mbeteshin kurrë, asnjëherë, në asnjë kohë.

Lajmi i rëndë, në një situatë të rëndë, në një kohë po aq të vështirë, duhet përballuar, pasi boll tronditjet na kanë godituar ashpër dhe pse jo edhe pa mëshirë. Si mund ta mendoj, se Atin tonë të kulturës, idhullin tonë, mjeshtrin e skenës, oratorin e fjalës, mendimtarin dhe përkthyesin, poliglotin dhe eruditin e pasosur, sdo ta kemi më. Kjo është humbje e madhe! Madje shumë e madhe.

Janë 92 vite që Durrësi ynë është zgjuar dhe ngrysur, duke dëgjuar frymëmarrjen e djalit të tij, që aq shumë e deshi, çdo pëllëmbë tokë të këtij qyteti, oh sa të dashur për ne. Mund të rrinte tek Flori në Spanjë. Mund të jetonte edhe tek djali tjetër Bepi në Amerikë. Po durrsakët kishin nevojë që Gjergjin e tyre ta kishin gjithnjë pronë të tyre, që ashtu si fëmija pret me padurim të shikojë prindërit edhe ne nuk mund të jetonim pa Xhoxhin tonë. Dhe Gjergj Vlashi si një betim të heshtur, mbeti tek ne, jetoi me ne dhe pa kësaj do të jetë i strehuar përjetësisht në tokën tonë, në tokën e tij, në Durrësin që aq shumë e deshi dhe se ndërroi me asgjë. Prandaj Gjergj Vlashi është i ynë. Prandaj Gjergj Vlashi do të ketë një strehë, ku loti ynë i nxehtë, do të ngrohë mermerin e ftohtë të parajsës së përjetshme.

Gjergj Vlashi nuk jeton! Por a mund të besohet kjo. Rikujtoj një shkrim timin, të realziuar me 24 prill 2020, kur ishim të mbyllur të gjithë brenda. Dhe ja se çfarë shkruaja, është shumë e favorshme të kujtohet:

-Kisha dëshirë ta takoja Gjergj Vlashin, në të shtunën e 18 prillit 2020, pasi ishte dhënë një porosi që pensionistët mund të dilnin deri në orën 11.00. Dhe këto ia transmetova Shpresës, si lajmin më të mirë, në këto kohë të vështira dhe delikate që po kalojmë.

Shpresa e mirë, gjithnjë e qetë, me një buzëqeshje që është “salduar” në fytyrën e saj, me shumë mall edhe ajo, pa tjetër me një dashamirësi të pashoqe më shkruajti në inbox:

-Bujar! Nga 26 nëntori 2019, e në vazhdim ne ndodhemi në Spanjë, tek Flori. Po kalojmë mirë, ku gjatë ditës ndjejmë përkëdhelitë e erërave të freskëta të oqeanit, që lag qytetin ku po jetojmë A Corunja. Flori dhe familja e tij kujdesen për ne, në mënyrën më të mirë të mundshme. Ju përqafojmë prej këndej. Të fala edhe zonjës.

A e dinë në A Corunja, që në një familje shqiptarësh, m’u në derën e një muzikanti, që është në historinë e tij tërheqëse të muzikës klasike në Spanjë, jeton nga 26 nëntori i vitit 2019, një nga kolosët e kulturës së Durrësit dhe asaj shqiptare? Një aset i papërsëritshëm i kësaj treve të Adriatikut, ku brenda minierës së arit të kulturës së tij, qendron një gjerdan i shndritëshëm me perla dhe margaritarë, që të gjitha të pakonvertueshme.-

Dhe këto perla, që kanë hedhur rrënjë në jetën 92 vjeçare të Gjergj Vlashit, janë 50 vepra në letërsi, përkthime, prozë e komedi, 110 premiera në estradë, 15 çmime kombëtare, përkthime nga rusishtja, gjermanishtja, spanjishtja, anglishtja, italishtja, portugalishtja, e duket se lista nuk mbaron. Gjergj Vlashi që 15 vjeç nisi të përkthejë e diçka më përpara edhe të shkruajë, falë meritave të jetës së tij kundrejt dhjetra e dhjetra trofeve dhe vlerësimeve, katër prej tyre veçohen:

“Nderi i Kombit”, “Mjeshtri i Madh”, “Artist i Popullit” dhe “Qytetar Nderi i Durrësit”.

Rri e vështroj fotot e dala me Gjergj Vlashin. Emocionohem.

Më duket se Gjergj Vlashi më ka ardhë në shtëpi dhe bisedojmë si babë e bir. Më inkurajon me atë humorin e tij, me atë optimizmin, aq cilësi e fuqishme e tij dhe unë dëgjoj të më thotë:

-Kurajo dhe qendresë miku im! Do ta kalojmë këtë mënxyrë që na ka trokitur. Ktheje pak kokën pas. Më duket se kemi kaluar shumë, apo jo?!

E qeshura e tij, mbulon paksa tronditjen time të çastit dhe i jep udhë të mirës, pikërisht të asaj qendrese që kemi nevojë të gjithë. Nga shkrimet që kam bërë, kujtoj jetën e Gjergj Vlashit, se si e nisi, me sa kurajo dhe vëmëndje, duke bërë aktorin, regjisorin, përkthyesin, pedagogun, shkrimtarin e lista nuk mbaron.

Por ndër titujt që është merituar Xhoxhi im i dashur, është një që nuk dobëson të tjerat, përkundrazi i përforcon. Ai ka atë titull, që të gjithë do ta dëshironim:

“Aseti i çmuar i qytetarisë durrsake”. Është mburrja e jonë. Është optimizmi ynë. Është ajo pikë referimi që na tregon: se si duhet të punojë njeriu në jetë, përkushtimin dhe sakrificat e tij dhe mbi gjithçka si të ndërtojë raportet, marrdhëniet me njerëzit.

Shpesh thuhet se, nuk ka njeri pa të meta. Unë vendos duart mbi thëngjinjt e zjarrit, se tek Gjergj Vlashi nuk ka asnjë gjë, ku mund të kapësh e të tentosh ti kalosh ndonjë vërejtje. Ai është shumë i saktë në çdo gjë. Nuk të çfaqet për tu dukur. Por është fat të duket për ta parë.

Do ta ndjejmë mungesën, o Ati ynë! Shpirti im e nuhat, se do të na mungoj frymëmarrja e Gjergj Vlashit. E sytë e mi, nuk janë mësuar të mos ulen në prehërin e atij portreti aq të gjallë, aq të hijshëm.

Florian dhe Bep! Ju e keni baba Gjergj Vlashin. Dhe durrsakët e juaj, baba e kanë gjithashtu Gjergj Vlashin. Ju e keni nga gjaku dhe ne nga pesha e burrërisë dhe mënçurisë që ka Gjergj Vlashi në Durrësin tënd, në Durrësin e tij, në Durrësin tim, në Durrësin tonë.

Shpresa jonë e dashur! Krahu i jot, që e mbante aq lirshëm kolosin e kulturës durrsake, do ta ndjej mungesën e erës së krahut të Gjergj Vlashit. E ty do të duket se ai krah nuk do të mungoj kurrë, kurrë. Është krahu ynë, është krahu i atij legjendari që na mbajti gjallë në të gjallët e tij, që mbajti në duar shpatën e mprehtë të kulturës dhe dijes, duke na i lënë sytë tanë hapur deri në kënaqësi.

Dhe ky njeri i madh është, aseti ynë më i çmuar. Emri i tij është vlera e jonë e përjetshme, me emrin historik Gjergj Vlashi.

Gjergj Vlashi nuk është më ndër ne, por asnjëherë i ndarë nga ne. Jeta e tij fatmirësisht ishte e tillë, që na ka lënë një kujtesë të jashtëzakonshme. Kudo që do të eci, kudo që do të ulem, sido që të më bie rasti të jem në teatër, bibliotekë, në muzeum, në ndonjë kafe me miqtë, do ta ndjej gjithnjë se kam pranë Gjergjin tim, Gjergjin tonë, të urtë, të hijshëm, me një edukatë dhe kulturë të paparë gjetiu. Dhe do të vazhdojmë të flasim me të. Pasi ai nuk ka për heshtur kurrë.

Nuk hesht kurrë, puna kolosale e Gjergj Vlashit.

Ai është dhe do të mbetet gjithnjë me ne. Është në nderin dhe krenarinë tonë, të nxitojmë që ndonjë aseti të çmuar të kulturës dhe artit durrsak, ti vendosim emrin nderues “Gjergj Vlashi”.

Lamtumirë Gjergj Vlashi! Një lamtumirë e vështirë, e cila njomet me lotë të nxehtë burrash. Toka që të mbajti mbi supet e saj për 92 vite, do të dijë të të mbajë përjetësisht në zemër të saj.

Lamtumirë Gjergj Vlashi, o Ati i kulturës tonë!

Dheu i lehtë, o i paqmi ynë!