India mund të jetë vendi më i populluar në botë me 1.42 miliardë banorë (Bashkë me Kinën, po 1,4 mld banorë) dhe përballet me probleme të tilla si papunësia e të rinjve, por aleatët e fortë të kryeministrit Narendra Modi po mbështesin familjet më të mëdha për të luftuar rënien e nivelit të lindjeve.
Ndërsa Kombet e Bashkuara parashikojnë se popullsia e Indisë do të vazhdojë të rritet për rreth katër dekada, duke arritur kulmin në rreth 1.7 miliardë, disa politikanë dhe grupe hindu thonë se trendi drejt familjeve më të vogla duhet të ndalet tani, përfshirë edhe përmes mbështetjes financiare qeveritare.
Shkalla totale e fertilitetit në vend – numri mesatar i fëmijëve për grua – ra në 2 në vitin 2019/21, sipas vlerësimeve të qeverisë, nga 3.4 në vitin 1992/93, për shkak të rritjes së përdorimit të kontraceptivëve dhe ndërgjegjësimit më të madh midis grave.
Qeveria vlerëson se nevojitet një prag prej 2.1 fëmijësh për grua për të arritur të ashtuquajturin nivel zëvendësimi, domethënë për të mbajtur popullsinë e një vendi të qëndrueshme nga brezi në brez.
Shteti jugor i Andhra Pradesh, i qeverisur nga një koalicion i një partie rajonale dhe partisë së Modit, njoftoi në fundjavë se do të ofrojë një ndihmë financiare prej 267.76 eurosh për një fëmijë të tretë dhe 352 euro për një të katërt, duke rishikuar një propozim të mëparshëm prej 220 eurosh për një fëmijë të dytë dhe asnjë ndihmë financiare për të parin.
Megjithatë, nuk dihet se kur do të zbatohet plani.
Kryeministri i Andhra Pradesh, Chandrababu Naidu, tha se rënia e nivelit të lindjeve në shumë vende po çon në një popullsi në plakje dhe barrë ekonomike.
Shteti i vogël verilindor i Sikkimit u ka kërkuar gjithashtu familjeve të kenë më shumë fëmijë duke ofruar stimuj të tillë si një vit leje lindjeje, një muaj leje atësie dhe mbështetje financiare për fertilizimin in vitro.
Kombet e Bashkuara thonë se në mesin e viteve 1980, Kina, Japonia, Koreja e Jugut, Tailanda dhe Turqia i konsideronin të gjitha shkallët e tyre të lindjeve shumë të larta dhe u përpoqën t’i ulnin ato, por në vitin 2015 ato ndryshuan qasje dhe miratuan politika për të rritur shkallën e lindjeve.
Një grup i fuqishëm hindu, Rashtriya Swayamsevak Sangh (RSS) , nga i cili doli partia e Modit, ka bërë thirrje gjithashtu për familje më të mëdha si përparësi.
“Ne themi se India është një vend i të rinjve… por shkalla e lindjeve po bie gradualisht. Pabarazitë demografike do të shkaktojnë tensione”, u tha gazetarëve javën e kaluar sekretari i përgjithshëm i saj Dattatreya Hoshabelle.
Shkalla e përgjithshme e papunësisë në vend për njerëzit 15 vjeç e lart ishte 3.1% në vitin 2025, tregojnë të dhënat e qeverisë, por midis grupmoshës 15-29 vjeç ishte shumë më e lartë (9.9%), duke përfshirë 13.6% në zonat urbane dhe 8.3% në zonat rurale.





