Kryeinspektorja e Shëndetësisë në Durrës, Zhaneta Saliu ka zhvilluar një vëzhgim në terren të masave të marra në terren nga strukturat në varësi, për garantimin e një sezoni turistik të sigurt e të shëndetshëm.

“Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka intensifikuar kontollet në të gjthë vijën bregdetare përsa i përket kushteve higjeno-sanitare të operatorëve turistikë të vënë në shërbim të turistëve. Kuzhinat e restoranteve, baret, lokalet dhe monitorimi i vazhdueshëm i pishinave dhe ujit të detit është në qëndër të inspektimeve” tha Saliu.

Më tej Saliu deklaroi se situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe subjekteve u janë lënë detyra konkrete për përmbushjen e standarteve të kërkuara. Shqetësimi i banorëve i ngritur pranë këtij inspektoriati është zhvendosur në zonën e Kallmit.

“Nga monitorimi i vijës bregdetare, uji i detit rezulton i pastër brenda normave ndërsa problematika është zhvendosur në plazhin e Kallmit. Aty të gjitha subjektet operojnë me gropa septike” tha Saliu. 

Në zonën e Kallmit nuk ka rrjet kanalizimesh të ndërtuar apo infrastrukturë minimale të nevojshme për të garantuar siguri dhe higjenë për pushuesit.  

Në të giithë Durrësin janë kryer mbi 500 inspektime në bare. Restorante. fast-food, pishina e ambiente akomoduese. Janë lënë detyra konkrete dhe aktualisht po monitorohet zbatimi i tyre.

Në mungesë të plotësimit të kushteve, Inspektoriati vendos masa administrative kryesiht për mungesë të kushteve higjeno-sanitare dhe të ruajtjes së produkteve ushqimore.   

K.H.