Instituti i Gjeoshkencave, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, bëri me dije se sot dhe nesër parashikohet nivel i lartë rreziku për zjarre për qarkun e Fierit.

Sipas të dhënave zyrtare të IGJEO-së, sot pasdite dhe nesër (e martë, 24 qershor) pritet nivel rreziku “i lartë” në qarkun Fier, ndërsa pritet nivel rreziku “i moderuar” në qarqet e tjerë.

Në njoftim thuhet se nё disa qarqe pritet rrezik “i lartë”, vetёm nё zona tё lokalizuara si në jug të qarkut Shkodër, në qendër të qarkut Lezhë, në verilindje të qarkut Durrës, në jug të qarkut Tiranë, në jugperëndim të qarkut Elbasan dhe në veri të qarkut Vlorë.

Instituti i Gjeoshkencave cilëson në njoftim se rreziku pritet të jetë i lartë edhe gjatë ditës së martë.

Sa i takon temperaturave maksimale dhe minimale për ditën e nesërme, ato pritet të jenë: në bregdet 17/32°C, në vendet e ulëta 15/34°C dhe në vendet malore 12/32°C.

Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa nuk parashikohen reshje shiu.