Dikur model, ndërsa tani instruktor i suksesshëm. Quhet Erald Lila dhe për të pasionuarit pas fitnesit, emri i tij nuk është i padëgjuar. Në vitin 2013 merr pjesë në Kampionatin Shqiptar të Badibillding. Ishte hera e parë që ai konkurronte në një kompeticion të tillë, ku fitoi vendin e katërt. Ndërsa në tetor të vitit 2015, fiton vendin e tretë në kategorinë “Fitness Phisique” në të njëjtin kompeticion, që zhvillohet çdo vit. Aktualisht menaxhon dhe është instruktor në palestrën e tij dhe njëherësh punon si mësues i Edukimit Fizik në një kolegj në Durrës. Nga viti në vit, fiziku i tij ka ndryshuar dhe qëllimi i 25-vjeçarit është konkurrimi në kampionate të ndryshme të fitnesit.
Kush të ka nxitur që të vazhdoje palestrën?
Të merresha me palestër e kam pasur gjithmonë pasion, që në adoleshencë kur luaja futboll. Për hir të së vërtetës, kam dashur të kisha një trup të bukur dhe të tonifikuar, ndaj nxitja ka qenë individuale.
Sa i vështirë ka qenë fillimi?
Kur fillova të stërvitesha me pesha isha pothuajse 18 vjeç. Fillimi ishte goxha i vështirë, sepse nuk i njihja mirë programet stërvitore, por me vullnetin dhe dëshirën e tepërt që kisha për t’u stërvitur e kalova atë pengesë.
Sa kohë ke që merresh me aktivitet fizik?
Po bëhen rreth 15 vite që unë merrem me aktivitet fizik. Tetë vitet e para, më saktë nga mosha 10-18 vjeç stërvitesha për futboll, ndërsa nga mosha 18 e deri tani vazhdoj të stërvitem me pesha (palestër). Pra rreth 7 vite që merrem me palestër, ku aktualisht punoj edhe si instruktor.
Kur i vure re ndryshimet e para?
Ndryshimet në trup filluan të bëheshin të dukshme pas vitit të parë të stërvitjes, sepse siç thash pak më lart, në fillim nuk i njihja mirë programet dhe dietat ushqimore, ndërsa tani, për ata që stërviten me mua është më e thjeshtë dhe rezultatet arrihen më shpejt, që në muajt e parë, sepse kam njohuri më të shumta rreth programeve dhe dietave, dhe kjo falë përvojës, por edhe eksperimenteve në një farë mënyre. Kur them eksperimente nënkuptoj programet që kam provuar dhe testuar për të pasur rezultate të tilla.
Ushqimet e preferuara i ke eliminuar menjëherë pasi fillove palestrën?
Më është dashur të eliminoj shumë ushqime të cilat i preferoja dhe i konsumoja çdo ditë, të cilat ishin kryesisht gjërat e skuqura, “Fast Food”, ëmbëlsira, duke i zëvendësuar me perime të ndryshme, fileto pule dhe ushqime të tjera me përmbajtje proteinash dhe karbohidratesh.
Ti ushtrohesh përditë. Je lodhur ndonjëherë nga stërvitja e vazhdueshme?
Në asnjë moment nuk e kam çuar nëpër mend që të heq dorë nga palestra, përkundrazi, me kalimin e viteve sa vjen e më shtohet pasioni dhe vullneti, sepse duke parë çdo vit ndryshime në trup më shumë më shtohet dëshira për t’u përmirësuar.
Të ndihmojnë muskujt për të fituar simpatinë e vajzave?
Sigurisht që një trup i tonifikuar dhe me muskuj e tërheq vëmendjen e vajzave, duke bërë që ta hedhin vetë femrat hapin e parë në njohje. Në fakt, kjo është një ndër arsyet përse meshkujt fillojnë të stërviten disa muaj sidomos para plazhit.
Cilat janë disa nga sportet që të pëlqejnë dhe praktikon më shpesh?
Ka disa sporte të cilat i praktikoj, por më shpesh luaj minifutboll pothuajse një herë në javë dhe notin e praktikoj shpesh sepse është një sport i bukur, i cili bën të mundur që çdo muskul i trupit të jetë në lëvizje. Ndërsa gjatë verës luaj çdo ditë volejboll.
Energji apo vullnet?
Të gjithë duan të kenë trup të bukur, por sa e vështirë është ta realizosh atë?
Kushdo që pëlqen të merret me palestër, në fillim do e ketë të vështirë sepse nuk di akoma si të stërvitet, mërziten shpejt dhe s’kanë durim, sepse shumica dëshiron rezultate të shpejta, që në muajt e parë dhe kur nuk i shohin e lenë palestrën. Por në momentin që shikojnë rezultatet e para në trup, i shtohet vullneti e dëshira dhe nuk e lënë palestrën.
Për t’u marrë me palestër, është e rëndësishme të kesh energji apo vullnet?
Sigurisht që duhet shumë vullnet, dhe jo vetëm për tu marrë me palestër, por për çdo gjë. Duhet vullnet, sepse energjitë i fiton gjatë stërvitjes së rregullt dhe një diete të mirë.
Sa herë në javë është e këshillueshme të merresh me palestër apo të ushtrohesh jashtë saj?
Për një njeri normal, domethënë të pastërvitur më parë, minimalja është të trajnohet 3 herë në javë. Më pas kur kalon një kohë të caktuar në palestër, me stërvitje të rregullt më e mira është të stërvitesh 4-5 herë në javë me programe, të cilat unë ia ndryshoj çdo 2-3 muaj klientëve të mi, në varësi të progresit në trup.
Sa orë duhet të zgjasë stërvitja?
Një program i rregullt, duke përfshirë edhe muskujt e barkut, maksimumi zgjat një orë e 30 minuta, sepse edhe energjitë në trupin tonë nuk përballojnë një stërvitje shumë të gjatë. Kjo është kohë e mjaftueshme për të krijuar një trup të tonifikuar e me muskuj.
Të mos merresh me palestër, ndodh për shkak të mospërballimit të pagesës apo ka të bëjë me dembelizmin?
Për disa njerëz, mospërballimi i pagesës është vetëm një justifikim sepse mjafton të kursesh 100 lek çdo ditë dhe kursen para të mjaftueshme për t’u abonuar një muaj në palestër. Ajo që mendoj unë është se, mungon vullneti për t’u stërvitur dhe nxjerrin justifikime të ndryshme për të mos u stërvitur.
Cilat janë trendet e moshave që frekuentojnë palestrën tënde?
Palestra ime frekuentohet nga moshat 15-60 vjeç, por ka pasur edhe raste kur kanë ardhur meshkuj të moshës 65 vjeç, të cilët janë për t’u marrë shembull nga djemtë e rinj për vullnetin e tyre, duke iu kujtuar që mosha është thjesht një justifikim.
Si është raporti femra-meshkuj?
Raporti femra-meshkuj është i barabartë krahasuar me vitet e mëparshme. Çdo ditë e më shumë ka vajza që janë të interesuara për të mbajtur trupin në formë, të tonifikuar dhe me muskuj të formuar. Madje është krijuar edhe një ndjenjë harmonie midis vajzave dhe djemve në palestrën time, ku këta të fundit janë të gatshëm t’i ndihmojnë vajzat kur ushtrohen, duke e bërë stërvitjen më tërheqëse.
Cilat ushqime rekomandon për të konsumuar?
Ushqimet që rekomandoj të konsumohen më tepër janë ushqimet me përmbajtje proteinash, të cilat i marrim me anë të vezës, mishit, qumështit. Karbohidratet, të cilat i marrim nga orizi, buka dhe vitaminat, të cilat i marrim nga perimet. Këto të fundit përmbajnë edhe fibër.
Duhet të konsumohet ushqim para palestrës?
Para palestrës është shumë e rëndësishme të konsumohet ushqim, më saktë 2 orë para se të stërvitesh të kesh konsumuar një vakt të plote me proteina dhe karbohidrate.
Po pas palestre?
Pas palestrës sugjerohet të konsumohet ushqim 30-40 minuta pasi të kesh mbaruar, sepse aq i duhet trupit të relaksohet.
A ka një dietë të caktuar për secilin nga ne?
Për çdo njeri, qoftë i stërvitur ose jo, e mira është të kenë kujdes në konsumin e ushqimit, të eleminojnë sa më shumë yndyrat, ushqimet “Fast Food”, ushqimet e konservuara sepse kanë shumë pak vlera ushqyese dhe depozitohen në formë dhjami në trup.
Një këshillë e fundit…
I këshilloj të gjithë të gjejnë kohë të stërviten dhe të hanë gjëra të shëndetshme, sepse në fund të fundit është trupi juaj dhe nëse nuk bëni diçka për veten, askush s’do e bëjë për ju.
Intervistë e dhënë për gazetën "Shekulli"