Në podcastin e kësaj jave ku kishte të ftuar profesor Selami Xhepën, kryeministri Edi Rama u shpreh se procesi i integrimit në Bashkimin Europian është një mundësi për të përshpejtuar ndryshimin kulturor dhe jo vetëm në Shqipëri.

Në podcastin e tij javor, “Flasim”, Rama theksoi se rruga drejt BE-së nuk duhet parë thjesht si një proces politik, por si një transformim i shoqërisë.

“Bashkimi Europian na dha mundësinë për të përshpejtuar ndryshimin kulturor që Shqipëria ka shumë nevojë. Është një rrugë që kërkon jo vetëm përmbushjen e standardeve, por edhe ndryshimin e mënyrës se si e konceptojmë shtetin, ligjin dhe të ardhmen tonë si shoqëri”, tha ai.

Kryeministri u ndal gjithashtu tek mbështetja që vendi ynë ka marrë nga BE-ja, duke theksuar se për të ecur më shpejt përpara, është e nevojshme një përfshirje dhe ndihmë më e madhe.

“Pavarësisht progresit që kemi bërë, është e domosdoshme të kemi më shumë mbështetje nga Bashkimi Europian për të përballuar sfidat që kemi përpara. Nuk është vetëm përgjegjësi e jona, por edhe e atyre që duan të na shohin në Europën e Bashkuar”, tha Rama, teksa apeloi për më shumë bashkëpunim ndërmjet institucioneve shqiptare dhe atyre europiane, duke nënvizuar se vetëm përmes një qasjeje të përbashkët mund të arrihet progresi i qëndrueshëm.