Mos lëshimi i listëpagesave të invaliditetit nga bashkia Durrës ka nxjerrë sot në protestë anëtarë të shoqatave të personave me aftësi të kufizuar.

Prej kohësh, ata kërkojnë nga bashkia dorëzimin e listëpagesave, pasi po bëhen pengesë për mos ndjekjen e çështjes në rrugë gjyqësore.

“Jemi mbledhur këtu për të kërkuar të drejtat tona të dy pagesave të aftësisë së kufizuar dhe kujdestarisë, që për fat të keq, nga viti 2005-2010 nuk janë indeksuar. Këtu janë 1000 persona që i kanë bërë kërkes5 bashkisë për të tërhequr listëpagesat ose vërtetimin që i kanë marrë këto pagesa gjatë këtyre viteve në bashkinë e Durrësit. Bashkia nuk i pranon këto protokolle prandaj këta persona me aftësi të kufizuar nuk bëjnë dot gjyqin që të marrin paratë e tyre. Gjykata kërkon vërtetim. Më datë 5 është gjyqi, prandaj i bëj thirrje kryetares së bashkisë të lëshojë listëpagesat për këtë kategori njerëzish”,- deklaroi Sokol Murataj, kreu i shoqatës së paraplegjikëve

Sipas invalidëve dhe kujdestarëve të tyre, shteti po u heq të drejtën të mos përfitojnë pagesën që u takon me ligj.

“Kam dy fëmijë invalidë dhe kërkoj nga bashkia që të më japë të drejtën e fëmijëve. Të gjithë invalidëve t’u jepet vërtetimi që ta ndjekin çështjen në gjykatë dhe të marrim lekët që na takojnë. I kanë marrë të gjitha rrethet, kur do t’i marrim ne. Fondet kanë ardhur, por lekët e fëmijëve ne nuk po i marrim?”,- deklaroi nëna e dy fëmijëve të mitur.

“Nuk po i kërkojmë shtetit të na japë diçka më shumë nga ajo që na takon. Pse vetëm invalidët e Durrësit nuk i kanë marrë? “,- shtroi pyetjen një qytetar që prej shumë vitesh merr kujdestarinë për motrën e tij me aftësi të kufizuara.

Janë rreth 1000 invalidë në bashkinë Durrës, që prej vitesh kërkojnë të përfitojnë indeksimin e pagesës së invaliditetit për periudhën gusht 2005 – gusht 2010.

M.B.