Për të disatën herë në protestë para bashkisë Durrës, anëtarët e shoqatës së paraplegjikëve kërkuan listëpagesat e invaliditetit për periudhën 2005-2010, dhënia e të cilave u mohohet prej vitesh.

E ndërsa ju kërkua që një përfaqësi e tyre të takohej me zyrtarët e bashkisë, mungesa e rampave e bëri të pamundur ngjitjen e shkallëve për disa prej anëtarëve.

“Bashkia e Durrësit ka një problem të madh sepse ka shumë shkallë dhe paraplegjikët nuk mund të ngjiten. Duhet të mblidhen 3-4 veta të më ndihmojnë duke më mbajtur në krahë, duke rrezikuar të thyhen në mes”,- deklaroi për “DurrësLajm”, kryetari i shoqatës së paraplegjikëve të Shqipërisë, Sokol Murataj.

Për rreth 1000 anëtarët e shoqatave të personave me aftësi të kufizuara, sorrollatja e vazhdueshme prej vitesh në dyert e bashkisë duhet të marrë fund, sepse vështirësitë ekonomike janë të shumëfishta për ta.

“Bashkia ende nuk na ka kthyer përgjigje përsa i përket kërkesave tona. E kanë për detyrë, t’u japin personave me aftësi të kufizuar një vërtetim se i kanë marrë pagesat në vitet 2005-2010, por ata nuk zbatojnë ligjin”,- tha Murataj.

“Që në 2014 i kemi dorëzuar letrat, por na thonë jo sot, jo mot. Unë kam bërë kërkesë në bashki, nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje dhe as më kanë pritur”,- tha një anëtare e shoqatës së invalidëve.

“Ato pak lekë që duhet të marrim, pse nuk na i japin? Të na i japim, se unë 110 mijë lekë pension që marr nuk më dalin. I kanë marrë ato lekë dhe i kanë përdorur për hallet e veta”,- thotë një tjetër anëtare e shoqatës.

Protesta e invalidëve para bashkisë, këtë herë dha efektin e duhur. Nënkryetari  Elio Jani ndërmori një takim me ta, ku u njoh nga afër me shqetësimin dhe premtoi zgjidhje.

“Bashkia është njohur me problematikën e qytetarëve dhe besoj do të gjejmë një zgjidhje edhe vetë për faktin se ata janë në proces gjyqësor, ku kanë paditur bashkinë dhe palën e tretë që është ministria përkatëse”,- tha Jani.

Pas këtij takimi, invalidët shpresojnë në një zgjidhje të shpejtë institucionale, por kërkojnë që diskriminimi ndaj tyre të marrë fund.

“Shpresoj shumë tek institucionet shtetërore, por të vënë ligjin në veprim. Mos të na përbuzin, mos të na diskriminojnë”,- tha një anëtar i shoqatës së të verbërve.  

M.B.