Imagjinoni pamjen, të ardhurat, trurin dhe humorin e një gruaje, si katër instrumente. Vendosini në harmoni dhe muzika me siguri do t’ju dehë. Ky është sekreti i joshjes së juristes dhe fashion blogger-es, Irena Kita, që vetëm pak muaj më parë jetoi një përvojë televizive në Dance with me. Por për të mbajtur gjallë një martesë duhet më shumë sesa kaq. Dhe ajo rrëfen historinë e dashurisë me bashkëshortin, chef-in Arvin Kita, që nga dita kur ra në dashuri me të, që ishte hera e parë që e pa. Ja që në dashuri, edhe për një grua sharmante, gjithmonë në zotërim të pamjes dhe veprimeve joshëse, rregullat i vendos vetë dashuria
Dashuria e parë, të kujtohet?
Po më kujtohet, një ndjenjë e re dhe e pazbuluar më parë. Por kur je adoleshente çdo gjë ngelet në planin platonik. 🙂
Puthja e parë: zbulim apo zhgënjim?
E çuditshme dhe plot mister.
Në dashuri ia vlen të ngulësh këmbë?
Nëse ia vlen gjithmonë duhet ta mbash fort atë. Janë disa dashuri që të bëjnë të ndryshosh mënyrën e perceptimit të jetës. Këtu nuk flas vetëm për dashuritë në çift, por për dashurinë që na shoqëron në çdo marrëdhenie si ajo e nënës, motrës e me radhë.
Të biesh në dashuri: një marramendje e lehtë, apo tre shot-sa rresht?
Një marrëmendje me tre shot-sa njëherazi. Është një ndjenjë që të mban gjithë ditën të karikuar dhe të mrekulluar; me pak fjalë ëndërron me sy hapur dhe mendon pa pushim për personin që po adhuron aq shumë.
Strategjia e joshjes. Cila është jotja?
Joshja në vetvete është shumë komplekse dhe perceptohet në mënyra të ndryshme. Femra e parë, e cila e provoi joshjen ishte Eva. I mjaftoi vetëm një kokërr mollë për të joshur Adamin, por në atë kohë nuk kishte aspak konkurrencë. Ndërsa në jetën e përditshme duhet edhe më shumë strategji të sakta, fantazi, krijimtari dhe pak ekzotizëm. Pikërisht këto detaje mund ta bëjnë diferencën dhe të ndezin zjarrin e pasionit te një çift. Për mua joshja është: të jesh shumë femër dhe sa më e sofistikuar në çdo lëvizje që bën, qoftë ajo edhe e shkujdesur.
Kategoritë e meshkujve që nuk të pëlqejnë?
Mund të them ata që më pëlqejnë 🙂 janë meshkujt e zgjuar, me humor, të kuruar, të veshur bukur dhe pastër. Preferoj mashkullin klasik të ndërthurur me sportivin.
Çfarë përdor për të joshur: pamjen, pasurinë, trurin, humorin?
Këtë kuartet njëherazi në harmoni me njëra-tjetrën.
Shqisa më e rëndësishme në dashuri.
Prekja është magji pasi vë në punë çdo qelizë të trupit. Pas saj vjen shikimi e me radhë.
Si ishe veshur në takimin e parë me partnerin tënd?
Me një fustan gri shumë klasik. Sa herë e vesh e kujtoj gjithmonë atë takim.
Të ndërrosh veshjen pesë herë para se të dalësh. Është shenjë dashurie?
Është shenjë dalldisjeje, që tregon që je kokë e këmbë e përfshirë në situatë. N.q.s. e ndërron pesë herë do të thotë, që dhe përshtypja që do të bësh duhet të jetë sa më mbresëlënëse.
Dashuri me shikim të parë, edhe pse mund të kesh parë gabim? Apo më e menduar?
Dashuri me shikim të parë. Ashtu jam dashuruar me bashkëshortin tim.
Seksi pasuron dashurinë? Apo e kundërta?
Seksi është çelësi i një martese apo lidhjeje të lumtur. Është zanafilla e çdo lidhje dhe e mban atë solide.
Serial lover-at i shmang apo të joshin?
Pa diskutim i shmang me gjithë joshjen që mund të ofrojnë 🙂
Një, dy apo tri çmenduri për dashurinë?
Dashuria nuk ka shifra përsa u përket çmendurive. Kur je e dashuruar të vjen natyrshëm të bësh çmendurira për të.
Më mirë ngjashmëria apo tërheqja e të kundërtave?
Pa diskutim tërheqja e kundërt, në mënyrë që të plotësohet ndjenja dhe të funksionojë lidhja.
Të shiheni në sy, apo të shihni në të njëjtin drejtim?
Të shihemi në sy për një drejtim të caktuar.
Sakrifica apo lule dashurie?
Shumë sakrifica. Martesa është një institucion që kërkon shumë të tilla.
Bëjmë një bilanc të historisë suaj?
Me një fjali të vetme. Jetoj një martesë të lumtur me të gjitha sfidat e saj, ku ka ulje e ngritje si çdo marrëdhënie njerëzore. Mrekullia dhe pika kulmore e dashurisë time është vajza ime Sophie.
Nga e kupton që historia është dashuri e vërtetë?
Nga një tërësi ndjenjash dhe veprimesh. Çdo njeri dashuron në formën e tij dhe është e dukshme në qoftë se një gjë funksionon apo jo.
Një dashuri jotja e madhe e përmbledhur në një: vend, ushqim, muzikë?
Kjo që po jetoj. Ky trinom funksionon mrekullisht shumë mirë.
Dashuron shumë? Apo mesatarisht?
Unë kam shumë dashuri brenda vetes, kështu që dashuroj përtej dashurisë që kam në zemër. Dashuroj jetën, vajzën, familjen time, motrat e të gjithë atë që kam në zemër.
Intervista marre nga Revista Class