Ish-kampioni i botës në boks, Amir Khan, bie pre e një grabitjeje me armë në Londër.

35-vjeçari tregoi në rrjetet sociale se ngjarja e rëndë i ndodhi në Leyton, në lindje të kryeqytetit anglez, teksa ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Faryal. Sipas tij, dy persona i kishin drejtuar armën në fytyrë, duke e detyruar që të të hiqte orën nga dora. “Gjëja kryesore është që të dy jemi të sigurt”, – shkroi Khan në Twitter.

Policia Metropolitane ka nisur hetimet, pasi mori njoftimin për një incident në High Road, Leyton.

“Një burri rreth të 30-ave dyshohet se i janë afruar dy persona, të cilët e kanë kërcënuar me armë zjarri përpara se t’i vidhnin orën dhe të iknin”, thuhet në deklaratë.

“Nuk ka raportime për të shtëna apo lëndime. Policia është kundërpërgjigjur dhe ka kryer kontrolle në zonë. Në këtë fazë shumë të hershme nuk ka pasur asnjë arrestim.

”Khan u ngjit për herë të fundit në ring në shkurt, kur u mposht nga rivali i hidhur Kell Brook. Pas kësaj humbjeje ai deklaroi se mund të ishte dueli i tij i fundit.Kujtojmë që Amir Khan mori ftesë për një përmballje nga kampioni shqiptar, Florian Marku, pasi ky i fundit mposhti britanikun Chris Jenkins në Newcastle.