11 gusht 2015 – Kujtim Shtama nuk do të jetë më pjesë e stafit teknik të Akademisë së Futbollit “Teuta”, pasi sot ka nënshkruar zyrtarisht me presidentin e Kukësit Safet Gjici për të qenë pjesë e stafit teknik të këtij ekipi, si trajner i portierëve.
Ish-portieri i rekordeve Kujtim Shtama ka qenë prej mëse 10 vjetësh pjesë e stafit teknik të Teutës në rolin e trajnerit të portierëve, dhe vetëm pak javë më parë kaloi në të njëjtin rol, por në Akademinë e Futbollit “Teuta”.
Në një prononcim për “Dyrrah”-un, Kujtim Shtama flet për këtë lëvizje të tij drejt Kukësit.
Shtama, pas mëse një dekade lini Teutën për të kaluar te Kukësi, çfarë mund të na thoni rreth detajeve të kësaj lëvizjeje?
Ishte një ftesë e bërë nga presidenti i Kukësit Safet Gjici për të më përfshirë dhe mua në stafin teknik të skuadrës që ai drejton në rolin e trajnerit të portierëve. Kam nënshkruar një kontratë 1-vjeçare për sezonin e ri në prag, me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër. Për këtë lëvizje drejt Kukësit gjeta dhe mirëkuptimin e plotë të stafit drejtues të Teutës.
Çfarë ju tërhoqi më tepër te kjo ofertë e ardhur nga Kukësi?
Kukësi ka treguar vitet e fundit se është një skuadër më mjaft ambicie, nënkampione e Shqipërisë ku dhe në kupat e Europës ka bërë një paraqitje shumë të mirë. Presidenti Gjici edhe në këtë sezon të ri ka investuar dhe po investon për një skuadër pretendente për titull. Për këtë arsye vendosa të bëhesha pjesë e stafit teknik të një skuadre që edhe këtë sezon do të hyjë me objektiva madhore për të arritur.
Kur do ta filloni stërvitjen me Kukësin?
Puna ime si trajner i portierëve te Kukësi fillon që nesër. Kohë nuk ka më, kampionati është në prag, ndaj do të fillojmë menjëherë nga puna.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





